Viktimën e goditën me çekan dhe me revole në kokë, njëri futet në paraburgim e tjetri ndodhet në arrati

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.M., nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “vrasje në tentativë”.

“Me datën 16.08.2021 rreth orës 00:05, në bashkëkryerje me të pandehurit T.M tentojnë ta privojnë personin tjetër nga jeta, këtu të dëmtuarin D.E, në atë mënyrë që natën kritikë gjersa i dëmtuari ishte duke ecur rrugës në këmbë, në shenjë hakmarrjeje për një rast që kishte ndodhur më herët, të pandehurit të pajisur me sende të rrezikshme në duar, e sulmojnë fizikisht duke e goditur me çekan në kraharorë dhe kokë dhe nga prapa e godasin disa herë me revole në kokë dhe pasi i vërejnë kalimtarët e rastit ikin nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e gjykatës, transmeton Express.

“Me këto veprime të pandehuri B.M dhe T.M kishin për të kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë  nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit B.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. I pandehuri, që nga data e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati dhe është arrestuar sipas urdhër arrestit”, vijon njoftimi.

I bashkëpandehuri T.M, ende gjendet në arrati dhe për të njëjtin gjykata ka lëshuar urdhër arrest.

Të ngjashme