Viti i degradimit social

Prishtinë | 07 Jan 2018 | 15:18 | Nga

Pak është bërë gjatë gjithë vitit për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Më së shumti janë mbështetur 40 mijë veteranët e regjistruar si pjesëtarë të UÇK-së, shifër kjo që nuk përputhet as për së afërmi me 13-mijëshin e listave të dala menjëherë pas lufte.

Edhe pse është rritur buxheti për Skemën e Ndihmës Sociale, kjo rritje simbolike nuk garanton largimin e mijëra familjeve nga skajshmëria e varfërisë, shkruan “Koha Ditore”. Ndërkohë që premtimet për zvogëlim të papunësisë nuk u realizuan; shifrat tregojnë që në vitin 2017 ajo është rritur për rreth 3 për qind.

Rritje kanë shënuar edhe rastet e vdekjeve në vendin e punës e janë regjistruar edhe shumë raste të dhunës në familje, përfshirë pesë raste në të cilat gratë kanë përfunduar me vdekje si pasojë e dhunës nga bashkëshortët e tyre.

Këtë vit nuk është bërë shumë as për personat e pagjetur. Janë identifikuar vetëm 7 raste të reja derisa edhe 1.654 persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Për të dhunuarat e luftës është caktuar vlera e pensionit, por verifikimi i premtuar të nisë këtë vit nuk ka ndodhur ende.

Rritet papunësia, trend i njëjtë i varfërisë

Pavarësisht premtimeve për rritje të punësimit, papunësia vitin që po e lëmë pas është rritur për rreth tre për qind. Si e arritur për punën 100-ditëshe të Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sa i përket punësimit është paraqitur edhe ndërmjetësimi në punësimin e 2.248 personave, prej tyre në punësimin e rregullt të 1.134 personave. Mirëpo kjo nuk ka ndikuar që shifrat të ulën, përkundrazi ato janë rritur.

Rezultatet e Ankesës së Fuqisë Punëtore të publikuara së fundi nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, tregojnë që në 9 muajt e parë të këtij viti papunësia është rritur për 2.9 për qind krahasuar me shkallën e papunësisë që është regjistruar nga kjo agjenci në vitin e kaluar. Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë të këtij viti ka qenë 30.2 për qind. Për tremujorin e dytë të këtij viti papunësia ka qenë në një shkallë prej 30.6 përqindësh, ndërkohë që në tremujorin e parë 30.5 për qind. Mesatarja për këta nëntë muaj është 30.4 për qind ose 2.9 për qind më e lartë sesa në vitin 2016, kur shkalla e papunësisë ka qenë 27.5 për qind.

Varfëria edhe këtë vit është cilësuar si një prej problemeve më të mëdha të Kosovës. Por statistika lidhur me këtë shteti nuk ka që nga viti 2015. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për varfërinë tregojnë që në vitin 2015 në Kosovë kanë jetuar rreth 17.6 për qind e popullsisë në varfëri të plotë ose me 1.82 euro në ditë për person të rritur…

Të ngjashme