Vitia në karantinë, përveç mjeteve mbrojtëse po përballet edhe me mungesë të ushqimit

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 10:12 | Nga Arlinda Sejdiu

Komuna e Vitisë ka gjashtë ditë që ka hyrë në karantinë, për shkak të rasteve të rezultuara pozitiv me Coronavirus.

E përveç problemit që kjo komunë po përballet me mungesë të mjeteve mbrojtëse, tani po shfaqet nevoja edhe për ushqim.

Këtë e ka bërë të ditur në një bisedë telefonike për Ekonomia Online, kryetari i kësaj Komune, Sokol Haliti.

Megjithatë, ai tha se fat i mirë është që në 24 orët e fundit nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar me Coronavirus.

“Për fat të mirë në 24 orët e fundit nuk kemi asnjë rast të dyshuar me Coronavirus. Momentalisht gjendja është e qetë dhe në kontroll. Por furnizimin me mjete mbrojtëse e kemi në mungesë sidomos rrobat, maskat, dorëzat, dezinfektues. Tani është paraqit nevoja edhe në ushqim. Kemi qindra të sëmurë kronik”, tregoi ai.

Haliti, tha që për furnizim me mjete mbrojtëse kanë bërë kërkesa të shumta në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Kemi dërgua kërkesa mbi 10 herë në Ministri të Shëndetësisë. Na kanë thënë dje që vijnë por nuk kanë ardhur”, tha Haliti.

Sipas tij, për shkak të gjendjes që është paraqit me Coronavirus, nevojitet numër më i madh i mjekëve.

Vitia dhe Klina me vendim të Qeverisë së Kosovës, janë dy komunat e para që kanë hyrë në karantinë për shkak të rasteve të konfirmuara pozitiv me Coronaviurs.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit, Qeveria kishte marrë vendim që të mbyllen kafeteritë, lokalet, qendrat tregtare, të pezullohen linjat ajrore dhe ato tokësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme