Vitin tjetër pritet të hapet Ambasada e Japonisë në Kosovë

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 10:08 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Integrimit Evropian (MIE) dhe JICA “Alumni Asociacioni i Kosovës”, kanë shënuar 10-vjetorin e bashkëpunimit, raporton Ekonomia Online.

Sekretari i Ministrisë së Integrimit Evropian, Kushtrim Cukaj, tha se raportet mes Kosovës dhe Japonisë çdo herë e më shumë po thellohen dhe kjo po vërtetohet edhe me lajmin se shumë shpejtë do të hapet ambasada e Japonisë në Kosovë.

“Kjo vjen pak kohë pas shënimit të 10-vjetorit mes lidhjeve diplomatike të Kosovës dhe Japonisë ku do kemi së shpejti hapjen e ambasadës në Kosovë, gjatë këtyre viteve kemi pas përkrahje të konsiderueshme nga ana e Japonisë me projekte për Kosovën e deri tani kemi pas 6 projekte të mëdha që janë zbatuar në fushën e përmirësimit të cilësisë së mjedisit dhe fushën e kulturës dhe medieve që arrijnë shumën afër 17 milionë euro”, tha Cukaj.

Ai u shpreh mirënjohës për gjithë kontributin që Japonia ka dhënë për Kosovën.

“Falënderoj shtetin e Japonisë në emër të ministrisë sonë dhe qeverisë për kontributin e tyre, ne do vazhdojmë bashkëpunimin dhe shpresoj të thellohet më tutje”, tha ai.

Ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje ka dërguar një video mesazh përmes së cilit tha se shpreson që kjo miqësi mes këtyre dy vendeve të përcillet me dekada.

“Japonia do hap ambasadën në Kosovë dhe uroj që miqësia me Japoninë të shënojnë shumë përvjetor dhe ta përkujtojnë brezat që vijnë këtë miqësi. Japonia ka dhënë aq shumë për Kosovën dhe nuk e dimë se a mund të ia kthejmë, por së paku mund ta falënderojmë”, tha ai.

Malazogu tha se Japonia përmes JICA-s ka kontribuuar në sektorët më të rëndësishëm të Kosovës.

Kazuyuki Takeuchi, Ministër nga Ambasada e Japonisë në Kosovë tha se falë bashëkpunimit mes këtyre dy shtetve, Japonia është e gatshme që t’i dyfishojë përpjekjet në dekadën e ardhshme.

“Japonia dhe Kosova kanë bashkëpunuar që 10 vite dhe jemi të gatshëm të dyfishojmë përpjekjet në dekadën e ardhshme dhe shpreh respektin për JICA-n dhe Kosovën. Qeveria e Japonisë është e përgatitur me vazhdu bashkëpunimin dhe këtë pasdite do marr pjesë në një ceremoni ku do nënshkruajmë 6 grante në Kosovë. Japonia ka filluar të bëjë asistencë për grante, kemi kryer shumë projekte në shkolla, komuna dhe shëndetësi. Japonia i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të mëtejmë dhe shpresojmë ta hapim ambasadën vitin e ardhshëm dhe kjo tregon marrëdhëniet e mira në mes vendeve”, tha ai, raporton EO.

Hideya Kobayashi nga Zyra e JICA-s për Ballkanin tha se JICA për Kosovën ka shpenzuar 17 milionë euro në projekte të ndryshme.

“JICA ka bashkëpunuar me Kosovën ku kërkohet njohuri e mbështetje në përgjithësi. JICA ka shpenzuar 17 milionë euro për zhvillimin ekonomik të Kosovës që përfshinë programe të trajnimit të JICA dhe e kemi ndryshuar emrin kohëve të fundit tek programet kyçe dhe në këtë program kemi 360 kosovarë që janë dërguar në Japoni”, tha ai.

Nezakete Hakaj nga JICA “Alumni Asociacioni i Kosovës”, tha se janë bërë 10 vite të këtij bashkëpunimi dhe se projektet kanë ndihmuar një numër të madh të zyrtarëve që kanë shkuar në Japoni dhe kanë marrë përvoja të ndryshme.

“Alumni është formuar në prill 2009. Jemi 111 anëtar dhe shpresojmë që ky numër të rritet me tepër, në emër të pjesëmarrësve falënderojmë popullin e Japonisë, qeverinë Japoneze dhe JICA që ka bërë të mundur që një numër i madh të institucioneve të Kosovës të marrin pjesë në trajnime të ndryshme që po përpiqemi ta shfrytëzojmë në përmirësimin e jetës sonë. Përvojat e njohuritë e marra në këto trajnime janë të rëndësishme të përcillen në vendin tonë”, tha ajo.

Të ngjashme