Vizita dyditore e Trendafilovës – qëllim sqarimi i paqartësive lidhur me gjykimet e Speciales

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 07:58 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë njohësi i çështjeve juridike, Përparim Gruda po e paralelizon me mungesën e efikasitetit të kësaj gjykate.

Sipas Grudës, Specialja ndër vite ka shënuar mungesë qartësie të proceseve gjyqësore dhe të tërësisë së punës e saj.

“Vizita e kryetares së Gjykatës Supreme siç i themi ne në zhargonin e përditshëm padyshim që është e lidhur me mungesën e efikasitetit të punës së Gjykatës për këto vit dhe poashtu mungesën e një qartësie të proceseve gjyqësore dhe të tërësisë së gjykatës në punën e saj. Sepse e vërteta është se Gjykata Speciale tashmë i ka kaluar 5 vjet prej kur është formuar dhe nuk ka arritur ende me filluar gjykim në shkallë të parë për asnjë aktakuzë, janë dashtë 5 vjet për me filluar gjykimi në shkallë të pare”.

“Diçka është është jashtë çdo standardi normal të gjykimit në kohë të arsyeshme. Po marrim shembull Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavi si pikë referimi atje mesatarisht për katër vite procesi të paktën në shkallë të parë është kryer procesi i gjykimit, por për shembull për disa raste është kryer për 5 vjet në të gjitha shkallët e gjykatës, përfshirë edhe personat e akuzuar prej Kosovës, ish-kryeministrin dhe të tjerët. Në këto kushte është absurde që gjykata speciale me vonuar kaq shumë procesin, pra me ju dashtë 5 vjet vetëm për konfirmim të një aktakuze por as për fillim gjykimi në shkallë të pare”.

Gruda ka vlerësuar se Kosovës po i bëhet dëm i jashtëzakonshëm me zvarritjen e hetimeve për krime lufte të liderëve politik.

Sipas tij, kjo vazhdimësi hetimesh pa një rezultat të shpejt po ia prish Kosovës imazhin ndërkombëtar.

“Realisht Kosova është nën hetim ndërkombëtar për krime lufte, po flas prej Gjykatës Speciale sepse është një gjykatë e ndërkombëtarizuar pothuajse për një dekadë prej kur ka dalë raporti i Dick Martyt, ka pasur hetime të vazhdueshme që është zgjatë dhe stërgjatë përtej çdo afati të arsyeshëm. Unë besoj që në kuptim Kosovës po i bëhet një dëm i jashtëzakonshëm për këtë periudhë kohore sepse është vendi i vetëm evropian që mbahet nën terrorin e hetimeve të vazhdueshme për krime lufte dhe kjo ka impakt të jashtëzakonshëm në imazhin tonë ndërkombëtar”.

“Sepse një shtet që ka liderët e vetë politik nën akuzat e tilla për krime lufte sigurisht ka problem me imazhin e vet. Prandaj qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë me vazhduar me këtë mënyrë të procedimit për këto krime, meritojnë një qartësi dhe një proces më të shpejt, më transparent dhe më të drejtë të gjykimit, për të ardhur në një bilanc përfundimtar të cilin ne shumica e besojmë që do të jetë pafajësia e tyre”.

Më tej ai ka konsideruar se vizita e Trendafilovës në Kosovë i jep mundësinë shoqërisë civile që të kërkojë informacione lidhur me paqartësitë se çfarë do të ndodhë me procesin e gjykimit të krerëve të UÇK-së.

“Kjo paqartësi është arsyeja e vizitës së kryetares Trendafilova për të diskutuar me akterët institucional dhe me shoqërinë civile. Modalitet e funksionimit të Gjykatës dhe qartësinë që duhet të ketë gjykata. Unë besoj që do të kenë rast shoqëria civile për të diskutuar me Trëndafilovën këto aspekte për të krijuar një qartësi më të madhe në këtë proces dhe në atë që e pret Kosovën, sepse na u janë dashtë 5 vjet konfirmim aktakuze mund të na duhen disa të tjera për gjykim në shkallë të parë, disa të tjera për gjykim në shkallë të dytë. Dhe kjo praktikisht e bën Kosovën me zgjatë një proces gjyqësor një dekatë pothusje dhe kjo nuk ka asnjë kuptim për personat e akuzuar, gjykatën, shtetin e as për drejtësinë”.

“Meqenëse Trendafilova është gjyqtare por është kryetar e Gjykatës dhe ajo nuk është që merret me gjykime, merret me raste të caktuara me gjykimet në shkallë të dytë  por kryesisht roli i saj është administrimi dhe mirëmbajtja e punës së gjykatës në këtë kuptim besoj që ajo do të ofrojë disa informacione dhe do të hap disa tema diskutimi në Kosovë për këto aspekte që i thashë”, ka përfunduar ai për EO.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon po zhvillojnë vizitë dyditore në Kosovë ku qëllim kanë njoftimin me punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Të ngjashme