Vlera e pronave që i kanë kosovarët në Dubai

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Një “rrjedhje” e madhe e dokumenteve konfidenciale për pronat e të huajve në Dubai ka nxjerrë në pah pronarët e vilave luksoze, apartamenteve dhe kompanive në këtë qytet.

Dubai njihet si një strehë e pasanikëve dhe biznesmenëve nga e gjithë bota.

Nuk është as e pazakontë dhe as e paligjshme që shtetasit e huaj të posedojnë prona në Dubai, por dokumentet të cilat kanë rrjedhur në publik tregojnë se njerëz të inkriminuar nga një numër i madh vendesh në botë kanë regjistruar atje pasuri të paluajtshme në vlera milionëshe, raporton Paparaci.

Në mesin e tyre ndodhen edhe shtetas kosovarë, ka zbuluar një rrjedhje e dokumenteve konfidenciale të cilat i ka publikuar një rrjet prej 20 organizatave mediatike të udhëhequra nga mediumi norvegjez E24.

Sipas të dhënave për pronat që zotërojnë të huajt në Dubai, më pak se pesë kosovarë figurojnë si pronar të pasurive të paluajtshme në kryeqendrën e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Bazuar në dokumentet konfidenciale, më pak se pesë shtetas të Kosovës zotërojnë prona në vlerë të përbashkët prej një milion dollarë.

Momentalisht, nuk janë publikuar emrat e pronarëve kosovarë të patundshmërive luksoze në Dubai. Po ashtu, nuk dihet nëse në mesin e tyre ka njerëz të afërt me strukturat politike dhe partiake në Kosovë.

Sa i përket rajonit, 17 persona nga Shqipëria kanë regjistruar 19 prona në vlerë të përbashkët prej 7 milionë dollarë në Dubai.

Po ashtu, 94 persona nga Kroacia zotërojnë 125 prona me pasuri në vlerë 42 milionë dollarë, tregojnë të dhënat e rrjedhura në publik. Ndërsa, 237 qytetarë të Serbisë posedojnë 287 prona me vlerë 74 milionë dollarë. 11 persona nga Mali i Zi zotërojnë 16 prona me vlerë shtatë milionë dollarë.

Dokumentet e publikuara për të huajt nga mbarë bota, të cilët janë njerëz që janë të përfshirë në trafik droge, krim financiar, korrupsion, dhe zotërojnë prona në Dubai.

Pas publikimit të dokumenteve konfidenciale nga mediumi norvegjez E24, ka reaguar Prokuroria e Norvegjisë.

Prokurori i shtetit norvegjez, Petter Noreng tha se ai e konsideron investimin në pasuri të paluajtshme në Dubai një metodë të mundshme të evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

Pretendohet se fshehja e vlerave të mëdha të pasurisë sot kërkon shumë ndihmë nga profesionistët, ndaj është shumë më e lehtë të blesh prona të paluajtshme në Dubai dhe në këtë mënyrë të “pastrosh” paratë. 

Të ngjashme