Vlerësohet kontributi i gazetarit Sulejman Gashi, cilësohet ambasador e frymëzim për brezat e rinj

Prishtinë | 18 Sht 2020 | 14:35 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krerë institucionesh, familjarë dhe bashkëpunëtorë kanë marrë pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së gazetarit Sulejman Gashi, raporton Ekonomia Online.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani theksoi se gazetari Gashi tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe atë e tregoi para gjithë botës, duke shtuar se po i jepet lamtumira njeriut që na mbajti të informuar për disa dekada.

“Ai ishte vetëm njëri që dha shumë për këtë vend. Ai iku po la një të vërtetë atë të njeriut që sakrifikon gjithçka. Sulejmani ishte një njeri i mirë dhe profesionist. Në këtë kohë përplasjesh ai tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe e tregoi para gjithë botës”.

“Ai e deshi shumë këtë vend. Kisha fatin e mirë ta takoja në ShBA edhe si studente. Sot të gjithë po i themi lamtumirë njeriut që na mbajti të informuar për disa dekada”.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se disa njerëz janë të paracaktuar të krijojnë vepra mbresëlënëse, duke shtuar se gazetari Gashi ishte njëri prej tyre.

“Unë dhe gjithë ne kujtojmë me mall paraqitjet e tij. Ai i takonte brezit të gazetarëve intelektual. Ai do të kujtohet për urtësi profesionalizëm dhe kulturë të lartë. Ai do të mbetet frymëzim për brezat e rinj. Zëri i tij mund të jehojë për herë”.

Ish-kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se Gashi i shërbeu kombit gjatë gjithë jetës.

“Kudo kontribuoi shumë për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj. Sulejmani u vu në shërbim të kombit”.

Kryetari i VV-së Albin Kurti tha se Gashin do ta kujtojë si ambasador të Kosovës, ndonëse nuk e kishte një pozitë të tillë, por që me punë e tij e dëshmoi këtë.

“Sulejman Gashi i kishte tri emra sepse bënte tri punë, atij të profesionistit të shokut dashamirës. Në këtë nëntor bëhen 23 vjet prej kur e takova për herë të parë”.

“Ai na përgatiste për takime me zyrtar amerikan, punoi ditë e natë për misionin tonë në ndihmë popullit tonë”.

“Në mendjen time do të mbetet njeri fisnik dhe punëtor dhe ishte ambasador i republikës sonë ndonëse i pa shpallur”.

Në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur vëllai i tij, Seljandin Gashi. Ai tha se po i japin  lamtumirën e fundit, njeriut i cili i kushtoi tërë jetën ia kushtoi kombit, raporton EO.

“Sulejman Gashi dha kontribut në fushën e gazetarisë, tërë jetën ai kushtoi kontributit për kombin”.

Avni Spahiu, bashkëpunëtor i Gashit kujton me pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e mikut të tij.

“Sulejmani do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona. Ishte një ditë pikëllimi për të gjithë kur u nda miku ynë i shquar. Kisha fatin ta njihja dhe i cili iku tepër herët”.

“Ne te gjithë kemi kujtimet tona, por gjurmët që ka lënë në zemrat tona është shumë e vështirë të përkujtojë çastet për kohën që kemi kaluar së bashku”.

Të ngjashme