Vlimet politike në Evropën e fundviteve ‘60 dhe demonstratat në Kosovë

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Bota e pas Luftës së Dytë Botërore, e ndarë në dy blloqe antagoniste ideologjike, në vitin 1968 do të shpërfaqë gjithë karakterin e vet kontradiktor. Një botë që nuk i kishte zgjidhur pasojat e LDB-së; që nuk e kishte përmbyllur procesin e dekolonizimit, një botë me kriza të mëdha ekonomike e politike, do të nxisë protesta sociale, shoqërore e politike gjithandej Evropës, Amerikës, Amerikës Latine, Lindjes së Afërme dhe Azisë, shkruan sot Koha Ditore.

Ideologjia, e parë nga këndvështrimi althuserian, si konstruksion i superstrukturës që e përcakton vijimësinë e bazës materiale të shoqërisë, do të përbëjë fuqinë që do ta vërë në lëvizje, do ta jetësojë dhe legjitimojë praktikën bipolare në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Viti 1968 shënon pikën kulmore të përplasjeve ndërmjet dy ideologjive në luftën e tyre për monopol politik, ekonomik, kulturor e social në kontekstin e botës bipolare: të ideologjisë komuniste me qendër-bërthamë BRSS-në dhe ideologjisë kapitaliste me qendër-bërthamë ShBA-në.

Varësisht prej natyrës së ideologjive, do të përcaktohet edhe natyra e kontrollit dhe shtypjes që ato do të ushtrojnë në rrafshe të ndryshme të qenies dhe ekzistencës njerëzore. Nga të njëjtat rrafshe të ekzistencës dhe qenies njerëzore, ku do të ushtrohet lufta e ideologjive për monopol, do të vijë edhe rezistenca.

Të ngjashme