Vllahiu: Edhe sivjet Kosova mund të mos ketë liberalizim të vizave

Prishtinë | 03 Jan 2022 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Arbër Vllahiu, thotë se aspekti politik dhe çështja e raporteve Kosovë-Serbi bënë që Franca të hezitojë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai deklaron se meqenëse ky proces nuk është përmbyllur kur Kosova i ka përfunduar të gjitha proceset teknike, atëherë ka kaluar në nivelin politik.

“Ky vit mund të kalojë i tëri pa pasur liberalizimin e vizave për dy arsye, e para sepse Franca ka zgjedhjet e saj në pjesën e parë të këtij viti, që do të thotë deri kah Maji, kur duhet ta mbajë edhe një samit të madh për Balkanin Perëndimorë. Unë nuk besoj se mund të kryhet procesi zgjedhorë në Francë dhe krejtësisht do të varet me të gjitha elemente që mund t’i ketë Franca brenda dhe me fitoren ose mos fitoren e presidentit Macron. E dyta është që pas Francës kryesimin me Bashkimin Evropian e merr republika e Çekisë, duke pasë parasysh qëndrimin e presidentit Çek posaçërisht dhe duke marrë parasysh qëndrimin e një pjese të skenës politike në Republikën  e Çekisë dyshoj se mund të ketë një përparim në procesin e liberalizimit të vizave.” u shpreh Vllahiu në emisionin Info Magazinë.

Tutje, ish-ambasadori i Kosovës në Greqi, tha se politika e jashtme e Kosovës vazhdon te jetë e pakufizuar, e pazotë dhe pastrategji.

“Problemi më i madh i Kosovës nuk qëndron me Bashkimin Evropian në tërësi, por me Bashkimin Evropian si pesëshja e BE-së, pesë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës edhe më tutje dhe këtu qëndron problem më i madh i Kosovës dhe jo Serbia. Ne thjesht nuk mund ta shohim Serbinë si përcaktuese dhe determinuese të çdo gjëje në Kosovë. Duhet ta shohim Bashkimin Evropian si diçka që ose duhet të punojmë me të dhe ta shohim si ta zgjidhim problemin me pesë vendet mosnjohëse ose duhet ta shohim cila duhet të jetë alternative jonë. E alternativë ne nuk kemi, do të thotë BE është alternative e vetme për neve, por për Serbinë mund të jetë edhe një alternativë tjetër.”

Analisti politik deklaroi se Qeveria duhet ta përcaktojë qasjen e Kosovës në politikën e jashtme dhe ta përkufizojë cila është strategjia e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme