Vogëlushi kosovar në ekranin gjigant në “Times Square” të New Yorkut

Prishtinë | 16 Sht 2019 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Disa fotografi të Benit, djaloshit të vogël nga Kosova, janë paraqitur sot në ekranin gjigant të “Times Square” në New York.

Në njërën nga fotografitë, Beni që është me Sindromën Down është bashkë me Fjolla Rracin që në mënyrë vullnetare ndihmon fëmijët dhe të rriturit me Sindromën Down dhe ata me autizëm.

Këto fotografi i ka realizuar fotografi Jetmir Idrizi i cili përmes një postimi në Facebook ka treguar për momentin kur janë shkrepur këto fotografi – që kanë kaq shumë emocion.

“Para më shumë se një viti, në qendër të Prishtinës, e kam takuar këtë vajzë të bukur dhe shumë të mençur që quhet Fjolla Rraci duke luajtur me një nga fëmijët më të këndshëm që e kam takuar në jetën time Benin. Nga kureshtja, u ndala dhe biseduam pak. Duke folur, e kuptova që Beni ishte djali i shoqes time nga fëmijëria Gresës”.

“I thashë Fjollës se jam fotograf dhe dua t’ua bëj disa fotografi bashkë me Benin dhe t’ia dërgojë asaj dhe Gresës. Ajo pranoi dhe i bëmë disa. Sot më informoi se kjo fotografi bashkë me dy fotografi të tjera janë shfaqur ekranin e madh në Times Square”.

Nëna e Benit, Gresa, ka qenë bashkë me të birin për ta përjetuar këtë moment shumë emocional kur fotografitë e Benit e kanë ‘pushtuar’ sheshin Times Square në New York.

Fotografia e pesë vjeçarit Beni Godeni u përzgjodh në mesin e 100 më të mirave në konkursin e përvjetshëm të Shoqatës Ndërkombëtare të Sindromës Down.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme