Vrasja e 24 vjeçarit në piceri në Mitrovicë, ngrehet aktakuzë kundër 3 personave

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve L.S., B.H., V.I., dhe V.S., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Mehmet Kurti 23-vjeçar kishte mbetur i vrarë në një piceri mbrëmjen e 12 shkurtit në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë. E nga të shtënat me armë zjarri ishin plagosur edhe dy persona.

Prokuroria njofton se me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, “i pandehuri L.S., me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e Proper Pizza në Mitrovicë A.B., vjen një konflikt mes pjesëmarrësve të dy grupeve, me ç`rast i pandehuri L.S., nxjerr pistoletën dhe shtënë në viktimën M.K., i cili vdes si pasojë e plagëve të marra, dhe predhat e goditin edhe B.H., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”.

Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“I pandehuri B.H., me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka shtënë në drejtim të personit F.S., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe duke vënë në rrezik jetën e personave të grupit të Proper Pizza.

Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK),

I pandehuri V.I., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu në mënyrë kërcënuese ka përdorur pistoletën të cilën e kishte në posedim.

Me këto veprime i pandehuri V.I., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri V.S., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu e ka përdorur kundër grupit të Proper Pizza në mënyrë kërcënuese pistoletën të cilën e kishte në posedim.

Me këto veprime i pandehuri V.S., ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.

Të ngjashme