Vrasja e 78 vjeçarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Istog, shokët e kujtojnë të pikëlluar

Prishtinë | 29 Qer 2021 | 20:53 | Nga Ekonomia Online

Zenel Ramqaj, 78-vjeç, vdiq dje pasi e zuri dera e oborrit të Shtëpisë së të Moshuarve në Gurrakoc të Istogut, atje ku qëndroi nga viti 2008. Derën e kishte hapur shoku i tij Ukë Dautaj, 71 vjeç, i cili tashmë po hetohet për vepren penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Qëndrimin në oborr e kanë bërë çdo ditë bashkë.

Por Zenel Ramqaj, banor në shtëpinë e të moshuarve në Istog një ditë më parë tentoi të dilte edhe jashtë oborrit të shtëpisë.

Ky tentim atij i kushtoi me jetë.

Dyert e oborrit të cilat nuk ishin në gjendje të mirë teknike, u rrëzuan derisa shoku i Ramqajt po i mbyllte për ta penguar mikun e tij të dalë jashtë.

Personi i parë që i doli në ndihmë 78 vjeçarit ishte infermierja në qendrën e të moshuarve Verdite Bajraktari.

Banori i shtëpisë së Pleqve mbijetoi vetëm për pak kohë. Lëndimet e marra nga dyert, i shkaktuan vdekjen.

Një ditë pas kësaj ngjarje të hidhur, shokët e Qendrës shprehen të pikëlluar për humbjen e njërit nga personat me të cilin ata ndajnë shtëpinë.

Pos rezidentëve, gjatë ditës këtu erdhën edhe familjarët e të moshuarit i cili aksidentalisht goditi shokun e tij me dyert e oborrit.

Motra e tij thotë se ai është person i qetë dhe nuk shkakton kurrë probleme.

Haxhaj thotë se familjarisht ndihen keq për këtë rast.

Për të dyshuarin, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

78 vjeçari që vdiq aksidentalisht nuk kishte asnjë familjar, prandaj ishte banor i Qendrës së të moshuarve.

Të ngjashme