Vrasja e gruas në Skënderaj, Komuna ua siguron një banesë tre fëmijëve të familjes Qerimi

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se fëmijët e familjes Qerimi, ku ndodhi tragjedia në Llaushë të Skënderajt, janë vendosur sot në një banesë, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Nura ka bërë me dije se përveç banesës, ata do t’i mbështesin edhe me veprime të tjera.

“…tre fëmijë të mrekullueshëm me zemër të madhe që po përjetojnë momente të vështira pas ngjarjes tragjike që u ndodhi ditë më parë, do të bëjmë gjithçka të mundshme që të mos ndihen kurrë të vetmuar. Jo vetëm një banesë që mund të jetë më e pakta në këtë kohë, por do t’iu ofrojmë edhe ngrohtësi, si të ishim një familje biologjike, duke i mbështetur edhe me veprime të tjera të nevojshme që i kërkon jeta. I gjithë Skenderaj është me ju!”, ka shkruar Nura.

Ndryshe, 48-vjeçarja Lirije Qerimaj që u vra të mërkurën në Llaushë të Skenderajt, dyshohet se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike edhe në të kaluarën, nga i dyshuari bashkëshorti i saj Skender Qerimaj.

Viktima, Lirije Qerimaj, e kishte raportuar dhunën e burrit më 1 janar në Stacionin Policor në Skenderaj, nga ku kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje.

Por edhe pas raportimit të dhunës në polici, ajo ishte vrarë pesë ditë më vonë.

Të ngjashme