Vrasja në Deçan, mbrojtja heq dorë nga kundërshtimi i aktakuzës, propozon 23 dëshmitarë

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Pejë, të martën, në shqyrtimin e dytë gjyqësor, mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje të rëndë, Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha, ka hequr dorë nga kundërshtimi i aktakuzës, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që të dëgjohen 23 dëshmitarë.

Për vrasjen në Deçan, që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018, Shaban Gogaj, akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Jusuf  Cacaj, akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Berisha, në bazë të deklarimeve të këtyre 23 dëshmitarëve, do të provohet fakti që ndërmjet të akuzuarit Gogaj, dhe tani të ndjerit, Agonis Tetaj, nuk ka pasur ndonjë raport të keq.

Gjithashtu, ai ka thënë që arsyeja e mos paraqitjes së kërkesës për hudhjen dhe kundërshtimin e aktakuzës, është që kjo çështje të mos zvarritet dhe të kalohet sa më shpejtë në shqyrtimin kryesor.

Edhe i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Isuf Cacaj, ka deklaruar se nuk do të bëjë kundërshtimin e aktakuzës.

Për mos kundërshtimin e aktakuzës dhe për numrin e dëshmitarëve të propozuar, gjykatësja e çështjes, Violeta Husaj, ka deklaruar se avokati Berisha e ka bërë përmes emalit zyrtar të gjykatës.

Propozimin e avokatit Berisha, e ka kundërshtuar prokurori Agron Uka, që sipas tij, është e panevojshme të dëgjohet një numër kaq i madh i dëshmitarëve dhe sipas tij, mjaftojnë pesë dëshmitarë dhe shkresat e lëndës, që ta vërtetojnë bazën e akuzës.

Fjalës së prokurorit, i është bashkëngjitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava.

Gjykatësja Husaj, ka konstatuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vendos lidhur me propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e 23 dëshmitarëve.

Seanca e shqyrtimit kryesor është caktuar më 10 dhe 11 dhjetor 2019, nga ora 10:00.

Në seancën e mbajtur më 4 tetor 2019, i akuzuari Shaban Gogaj, ishte deklaruar i pafajshëm, duke thënë se vrasja kishte qenë aksidentale.

Kurse, i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Jusuf Cacaj, e kishte ka pranuar fajësinë, mirëpo sipas tij, ajo armë të cilën e kishte poseduar ishte me gaz dhe sikur ta kishte ditur se nuk është e vërtetë ai do ta legalizonte.

Ky deklarim i të pandehurit Cacaj kishte bërë që kryetarja e trupit  gjykues, Violeta Husaj-Rugova ta refuzonte pranimin e fajësisë, pasi në dispozitivin e aktakuzës nuk ceket se arma për të cilën akuzohet është me gaz,.

Këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon  të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Blow TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Të ngjashme