Vrau gruan e tij me shufër metali, burri nga Kamenica e pranon fajin

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Sot është mbajtur seanca fillestare ndaj Nuhi Mavrovqanit i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij me shufër metali në fshatin Berivojcë të Kamenicës.

Mavrovqani para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan ka pranuar fajësinë pa dashje të vrasjes së bashkëshortes së tij.

Mirëpo, kjo është kundërshtuar nga prokurori i rastit, Arben Ismajli dhe nga kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra ka thënë se gjyqtari dhe prokurori i rastit kanë refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuar, meqë siç potencon ai kjo vepër kryhet me dashje.

“Është mbajtur seanca fillestare për rastin në fjalë. I akuzuari ka pranuar fajësinë, por jo me dashje, mirëpo këtë e ka kundërshtuar prokurori i rastit dhe kryetari i trupit gjykues ka refuzuar pranimin e fajësisë së të akuzuarit, pasi që kjo vepër kryhet me dashje”, tha Shkodra.

Po ashtu gjyqtari ka nxjerrë edhe aktvendim me të cilin ka refuzuar pranimin e fajësisë.

Ndërsa, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj Nuhi Mavrovqanit i cili akuzohet se ka vrarë gruan e tij duke e goditur me shufër të metaltë.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri N.M., më 25 Korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhej në komunikatën për media.

Të ngjashme