Vuçiq mohon gjenocidin serb në Kosovë: S’dua ta fyej ambasadorin Schieb, ai tha çfarë mendon Gjermania

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur sot rreth deklaratës së ambasadorit gjerman në Beograd, se bombardimi i Jugosllavisë ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin në Kosovë.

Vuçiq ka thënë se shpjegimin e njëjtë për bombardimin e kanë të gjitha 19 shtetet të cilat kanë participuar në ndërhyrjen ushtarake.

Derisa ka thënë se është i bindur që s’ka pasur qëllime për gjenocid dhe se sipas Vuçiqit askush s’ka arritur ta provojë që ka pasur përpjekje për gjenocid, shkruan Kosovo Online.

Kreu i shtetit serb tutje ka thënë se për atë çfarë ka ndodhur në vitin 1999 të gjithë kanë pikëpamje të ndryshme.

 “Të gjitha 19 shtetet që morën pjesë në bombardime kanë të njëjtin shpjegim. Ambasadori Schieb s’ka thënë diçka ndryshe. Unë e njohë atë si njeri që ka sjellë investime këtu dhe që e do Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

 Vuçiq ka thënë se Schieb në ato momente është dashur të përgjigjej në vijë me politikën gjermane.

“Nuk më shkon mendja ta fyej personalisht, sepse ai nuk e Meriton”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb tutje theksoi se ndonjëherë është mirë të dëgjohen deklarata të tilla, sepse mund të shihet se çfarë mendojnë në të vërtetë ata që morën pjesë në bombardime  për gjithçka që ka ndodhur

“Është detyra jonë të përgjigjemi dhe të themi se nuk është e vërtetë, t’i shohim gjërat ndryshe. Ne duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë me Gjermaninë, e cila është partneri kryesor tregtar i Serbisë. Nuk është vetëm çështja e parave, por edhe e ndryshimit në vend. Është detyra jonë të themi me çfarë pajtohemi dhe çfarë jo, ne mbrojmë me krenari pozicionin tonë, por gjithashtu të kërkojmë të ruajmë integritetin e atyre që janë miq, e jo të bëjmë armiq të atyre që janë miqtë tanë “, përfundoi Vuçiq.

Të ngjashme