VV: Arrestimet në Gjakovë janë shtypje e kërkesës për drejtësi

Gjakovë | 06 Jan 2017 | 17:35 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ardhja e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të Gjakovës është veprim provokues, i cili i rëndon edhe më shumë plagët e shumë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit.

Ndërsa, protestat e vazhdueshme kundër këtyre vizitave janë thirrje për t’u vendosur drejtësi, kurse dhuna policore nga organet e rendit ndaj protestuesve është veprim kundër drejtësisë, dhe si i tillë i papranueshëm, thotë VV nëpërmes një komunikate shtypi.

“Sikurse edhe në herët e kaluara, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe sot qytetarë që po kundërshtonin ardhjen e këtyre pelegrinëve, bashkë me të cilët edhe kriminelë të luftës, të cilët nuk u hetuan asnjëherë. Lëvizja Vetëvendosje shpreh shqetësimin për arrestimin e Hazbije Pruthit, Mimoza Shalës, Haxher Bytyqit, Shkëndije Hodës dhe Sanije Berishës, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre”.

“Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë përderisa drejtësia nuk është vendosur. Serbia përveçse nuk ka kërkuar falje, ajo po mban në fuqi fletë-arrestet për pjesëmarrësit në luftën tonë çlirimtare. Prandaj, protestat janë të pashmangshme deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme