VV: Më 22 shkurt duhet të rregullohet padrejtësia për aktivistët

Prishtinë | 20 Shk 2018 | 16:56 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dy ditë para mbajtjes së seancës gjyqësore të Gjykatës së Apelit në lidhje me sulmin në Kuvend, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur një tryezë në ambientet e Kuvendit të Kosovës me temën “Procesi i kompromentuar i dënimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rezoluta nga debati parlamentar”. Panelistët e kësaj tryeze, kryetari i Lëvizjes Albin Kurti dhe drejtuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca këmbëngulën në zbatimin e kërkesave të miratuara nga Kuvendi i Kosovës me datë 9 shkurt 2018.

Kurti rikujtoi se gjashtë aktivistët Astrit Dehari, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Petrit Ademi ishin arrestuar më 29 gusht 2016, dy ditë para protestës së 1 shtatorit, kundër ‘Demarkacionit’ të kufirit me Malin e Zi e cila do të mbahej në ditën kur Qeveria e atëhershme kishte paralajmëruar ratifikimin e atij ‘Demarkacioni’. Me 5 nëntor të vitit 2016, në burgun e Prizrenit vdes dhunshëm aktivisti Astrit Dehari.

“Të gjitha provat dhe dëshmitë e ofruara edhe nga vetë policia, dëshmitarët, analizat shkencore dhe nga ato kriminalistike e medicinale qofshin vendore apo ndërkombëtare kanë vërtetuar atë që vazhdimisht e ka deklaruar Lëvizja VETËVENDOSJE! e kjo është pafajësia e aktivistëve tanë që po mbaheshin padrejtësisht në burg”, tha kryetari Kurti.

Ndërkaq, Konjufca tha se duke qenë se në kohën kur aktivistët janë arrestuar, opozita ishte shumë e fuqishme në kundërshtim të dy marrëveshjeve, për themelimin e “Zajednicës” dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi, pushtetit iu ka nevojitur patjetër një ngjarje inkriminuese për opozitën. Kjo ka qenë e mundur për shkak të kapjes së policisë dhe gjyqësisë. “Gjyqtari i njëjtë që e udhëheq procesin e persekutimit të deputetëve për hedhjen e gazit lotsjellës e mori jo rastësisht edhe rastin e sulmit mbi Kuvend”, tha ai. Por, më e rëndësishmja që e bën këtë proces politik, është epilogu i aktgjykimit, i cili i dënon katër aktivistë pa prova materiale.

Kurse, avokati i këtij rasti Tomë Gashi, ka folur për aktgjykimin duke e përmendur mungesën e provave. “Nuk kemi parë një aktgjykim më kontrovers të shkruar në një mënyre jashtëzakonisht të mllefosur, duke i quajtur aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! edhe si të djallëzuar gjë që është fyerje. Asnjë provë konkrete nuk është sjellë që ta vërtetojë së paku involvimin e njërit prej tyre në këtë vepër penale e cila është karakterizuar qëllimisht si terrorizëm”, tha Gashi në këtë tryezë.

Kurse aktivistja e shoqërisë civile, përfaqësuesja e organizatës joqeveritare FES, Besa Luzha po ashtu tregoi shqetësimin e saj në lidhje me këtë rast. “Ne si qytetarë kemi qenë të shqetësuar me gjithë procesin e burgosjes dhe të supozimeve për këta të rinj dhe ne që kemi qenë më aktiv e kemi hetuar se diçka nuk është në rregull sa i përket akuzës, provës dhe në fund e vërtetimit të provave. Dhe në gjithë këtë, arsyeja pse jemi involvuar ne si qytetarë ka qenë shokimi me rastin e Astritit”, ka thënë ajo.

Në këtë tryezë deputeti Sami Kurteshi foli për mos përputhjen e provave. Kjo është njëra prej shkeljeve më të rënda të procesit. “Krejt aktgjykimi bazohet në thashetheme të disa dëshmitarëve, disa të cilëve janë shumë të dyshimtë që megjithatë e mohojnë dëshminë e tyre të dhënë para policisë”, tha ai.

Rreze Hoxha, juriste pranë grupit për Studime juridike dhe politike e quajti këtë rast si dështim të sistemit gjyqësor për shkak të kundërthënieve të provave.
Kurse Jeta Berisha, aktiviste e shoqërisë civile, tha se në rastin e Astrit Deharit dhe të aktivistëve janë shkelur rëndë të drejtat e njeriut. Madje, janë shkelur edhe të drejtat qytetare të rreth 30 mijë qytetarëve të cilët kanë nënshkruar peticionin duke kërkuar drejtësi për Astritin dhe të cilat nuk janë marrë parasysh.

VV theksoi se Gjykata e Apelit e ka mundësinë që ta korrigjojë vendimin e padrejtë për dënimin me 21 vite burg të katër aktivistëve.

Image may contain: 2 people, people sittingImage may contain: 4 people, people sitting

Të ngjashme