VV-ja në mbështetje të Federatës Sindikale të Telekomit

Prishtinë | 20 Qer 2019 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka treguar se i mbështet kërkesat dhe qëndrimet e Federatës sindikale së pavarur të PTK-së, lidhur me ndërprerjen, respektivisht mos vazhdimin e Kontratës me Z-mobile, afati përfundimtar i së cilës përfundon me 30 korrik 2019.

Komunikatë e plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet kërkesat dhe qëndrimet e Federatës sindikale së pavarur të PTK-së të paraqitura sot publikisht, lidhur me ndërprerjen, respektivisht mosvazhdimin e Kontratës së dëmshme me Z-mobile, afati përfundimtar i së cilës përfundon me 30 korrik 2019.

Prej gati një dekade Lëvizja VETËVENDOSJE!, përfaqësuesit e saj dhe profesionistët e telekomunikacionit e financave kanë kërkuar hetimin dhe ndërprerjen e kësaj kontrate skajshmërisht të dëmshme për Telekomin dhe për të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike në vend.

Prej 1 viti Qeveria ka qenë e obliguar që të marrë masa si aksioner i kësaj ndërmarrje publike, për të evidentuar dëmin dhe për ta ndërprerë kontratën me Z-mobile. Kjo është kërkuar nga rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018.

Afati për Qeverinë po përfundon, ndaj punëtorët kanë të drejtë dhe duhen mbështetur në protestën e tyrë të paralajmëruar për të hënën, 24 qershor 2019.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën sërish thirrje menaxhmentit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Qeverisë që të ndërpresin menjëherë kontratën me Z-mobile. Të përllogarisin dëmin e ta kërkojnë ligjërisht dëmshpërblimin për dëmin shkaktuar Telekomit nga kontrata.

I drejtohemi po ashtu edhe organeve të drejtësisë, prej krimeve ekonomike e deri tek prokuroria e shtetit: Hetoni krimin ekonomik që dëmtoi Telekomin dhe financat publike duke hetuar këtë kontratë.

Të ngjashme