VV për ndërtimet në Badoc: MMPH-ja dhe Komuna e Prishtinës kanë shkelur ligjin, të veprojë Prokuroria

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 11:40 | Nga Arlinda Sejddiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mbajti konferencë për medie në lidhje me projektet e ndërtimit në Liqenin e Badocit, raporton Ekonomia Online.

Zyrtarët e VV-së, kundërshtojnë vendimin që të ketë ndërtime në zonën e Liqenit të Badovcit. Ata thonë që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shkelur ligjin me të dy këmbët.

Deputetja Fitore Pacolli, tha se dhe duhet të marrë masa Prokuroria e Shtetit, ngase kjo është vepër penale e parashikuar me Kodin Penal.

“Komuna dhe Ministria e kanë shkelur ligjin. Këto dy institucione dhe autoritetet e tyre që kanë lejuar e nënshkruar vendime të tilla kanë cenuar ujërat e Republikës së Kosovës. Kjo është vepër penale e parashikuar me kodin penal dhe këtu Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë menjëherë”.

Pacolli në detaje ka paraqitur të gjeturat e VV-së, në lidhje me këtë ndërtimet në këtë zonë, prej nga furnizohet me ujë kryeqyteti.

“Duke lëshuar vendimin i cili i jep kushtet e ndërtimit për investitorët në bregun e liqenit të Badocit, Komuna e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë shkelur legjislacionin në fuqi dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas analizave ligjore, Komuna e Prishtinës i ka dhënë kushtet ndërtimore në kundërshtim me ligjin, sepse ajo nuk i shtjerrur të gjitha mjetet e mundshme ndaj vendimit obligues të MMPH-së”.

“Komuna është dashur që së bashku me padinë (në rast se e ka parashtruar) të paraqesë në Gjykatë edhe kërkesën për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të MMPH sipas nenit 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative Nr. 03/L-202, meqë dihet se ekzekutimi i një vendimi të tillë dhe lejimi i ndërtimit të shtëpive buzë liqenit paraqet rrezik serioz për ujin e liqenit dhe veçanërisht për ujërat nëntokësorë përreth tij, përderisa ato përdoren për ujë të pijshëm nga KRU Prishtina”.

“Kështu, Komuna e ka shkelur ligjin duke shkaktuar një precedent të rrezikshëm që në të ardhmen mund të cenojë më tutje ujin e pijshëm në Prishtinë dhe gjithë Kosovën. Edhe pse komuna po justifikohet se vendimin për caktimin e kushteve ndërtimore e ka lëshuar si pasojë e obligimit nga MMPH-së, konsiderojmë se ajo ka përgjegjësi dhe nuk është dashur t’i caktojë kushtet kdërtimore. Komuna (drejtoria përkatëse) ka vepruar tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.16/127 të datës 24.04.2013 ku janë caktuar zonat e mbrojtura dhe masat mbrojtëse të Liqenit të Badocit. Ne ia përkujtojmë Komunës dhe Ministrisë, se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është marrë në përputhje të plotë me “Ligjin për Ujërat të Kosovës” dhe “Udhëzimin administrativ për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura ujore dhe masat e tyre mbrojtëse për burimet e ujërave që përdorën për pije”.

“Meqë një vendim i tillë ekziston, i cili qartazi përcakton distancën në të cilën nuk duhet të ndërmerren veprime të cilat e rrezikojnë cilësinë e ujit në Liqenin e Badocit, Komuna nuk është dashur asesi të marrë vendim për caktimin e kushteve ndërtimore edhe pse për një gjë të tillë  “e ka obliguar” MMPH-ja, meqë ka vepruar në kundërshtim me një akt juridik i cili ka peshë më të madhe në raport me vendimin e Ministrisë dhe në raport me çfarëdo plani të Komunës”.

 Ajo më pas ka dhënë edhe rekomandimet se çka duhet të ndërmerret në këtë drejtim.

“Komunën e Prishtinës që menjëherë ta tërheqë Vendimin për Kushtet Ndërtimore; Të parashtrojë padi ndaj MMPH-së për vendime jo-ligjore të cilat e cenojnë mjedisin e Kosovës. Vendimi A-67/19 nga MMPH që obligon komunën të lëshojë kushtet ndërtimore, është kërkesë për shkelje të ligjit të cilin tashmë zyrtarët e Komunës e kanë aplikuar; MMPH që menjëherë t’i tërheqë vendimet kundërligjore; MMPH dhe Komuna të japin përgjegjësi për vendimet e tyre dhe MMPH dhe Komuna të ndalojnë menjëherë të gjitha projektet ndërtimore në zonën ku rrezikohen ujërat e Liqenit të Badocit”.

Edhe Eman Rrahmani, asamblist i VV-së në Komunën e Prishtinës tha se këto dy institucione kanë shkelur ligjin me vendimin për ndërtime në liqenin e Badocit.

Ai thotë se VV-ja mbështet iniciativat qytetarë kundër këtyre ndërtimeve, raporton EO.

“Komuna dhe Ministria kanë shkelur ligjin me të dy këmbët duke lëshuar vendimin për ndërtime ne liqenin e Badocit. VV-ja mbështet iniciativat qytetare qe luftojnë për ndërtim e projektit në Badoc.

“Komuna ka lëshuar kushtet ndërtimore në kundërshtim me ligjin, komuna është dashur së bashku me padinë të paraqesin në gjykatë”, tha ai.

“Ekzekutimi i një vendimi të tillë paraqet rrezik serioz për liqenin. Komuna ka shkelur ligjin”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme