VV: Prokuroria të nisë hetimet në Telekom, po amnistohen përgjegjësit

Prishtinë | 03 Qer 2018 | 13:23 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sot në një konferencë për medie, se kriza në Telekomin e Kosovës është si pasojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Kurti tha se VV ka denoncuar në prokurori personat përgjegjës për këtë situatë por ajo, sipas tij, ende nuk ka nisur hetime për këtë rast, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se në Telekom është bërë plaçkitje sistematike dhe sipas tij mosveprimi i prokurorisë shndërrohet në bashkëveprim në krim, derisa ka kërkuar fillimin e hetimeve.

Kurti ka deklaruar se në Telekom nuk është lejuar të investohet dhe është kërcënuar me privatizim, por ka shtuar se kjo ndërmarrje publike mund të shpëtohet dhe zhvillohet.

“Gjendja e sotme në telekomin e Kosovës është pasojë e krimit të organizuar dhe e korrupsionit të lartë, janë bërë krime e nuk janë bërë hetime. Në Telekom nuk janë lejuar investimet dhe është kërcënuar me privatizim. Njeriu që e ka paralajmëruar më 30 mars 2007 krimin e organizuar në Telekom është Ismet Hamiti. Në letrën e tij dërguar Prokurorit të Shtetit ai me emër e mbiemër denoncoi përgjegjësit për katandisjen me paramendim të Telekomit të Kosovës”.

Kryetari i VV-së kërkoi që prokuroria të hetojë rastin dhe Qeveria veprojë për një menaxhment krize i cili sipas tij do të bënte ristrukturim të thellë të ndërmarrjes.

“Telekomi mund të shpëtohet dhe zhvillohet. Prokuroria të veprojë, duke hetuar menjëherë, Qeveria të veprojë menjëherë për një menaxhment krize me detyrë për ristrukturim të thellë dhe për një mbikëqyrje të përgjegjshme publike. Ne po e tregojmë zgjidhjen, po ua lëmë atyre”.

I pyetur për hapat që do të ndërmarrin si parti siç thonë për ta shpëtuar telekomin, Kurti tha se nesër do të mbahet një interpelancë e Kuvendit për gjendjen në Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe në fund të saj do të dalin me një mocion, për të cilin tha se shpreson që do të miratohet nga deputetët.

“Në Telekom është bërë plaçkitje sistematike, ky krim është denocnuar në prokurori, kërkojmë fillimin e hetimeve. Mosveprimi i prokurorisë shndërrohet në bashkëveprues në këtë krim. Këto stuktura që kontrollojnë fonde të mëdha e të plaçkitura janë struktura që e pamundësojnë demokracinë”.

Profesori Ismet Hamiti tha se Prokuroria e Shtetit e ka në dorë shpëtimin e Telekomit, por shtoi se ajo nuk është e interesuar të hetojë, siç tha këtë krim, por ta amnistojë atë.

Hamiti deklaroi se se përgjegjës për gjendjen e Telekomit janë të gjitha qeveritë e kaluara dhe qeveria aktuale nën drejtimin e Ramush Haradinajt.

Ai tutje tha se individë të kontrolluar nga grupe të caktuara kanë plaçkitur 30 për qind të të hyrave të Telekomit.

“Mesazhi që dua që ju ta transmetoni te publiku është se prokuroria e shtetit e ka në dorë të shpëtojë telekomin. Telekomi është në gjendje aq të keqe sa që s’mund të mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse, përkundër që ëshrë kompani shumë fitimprurese. Telekomi është në gjendjen e sotme sepse fitimet janë plaçkitur në vazhdimësi”.

“Përgjegjës për këtë gjendje janë të gjitha qeverite e pas luftës, edhe kjo aktuale. Ata kanë vepruar kundër interesit publik dhe në interes të grupeve të veta. Ata fillimisht kanë eliminuar dhe mënjanuar kuadrot më të mira të telekomit, që e kanë krijuar atë që ekziston, u zëvendësuan me individë të kontrollueshëm nga këto grupe, të padijshëm dhe të gjithë me prirje kriminale. Me kontrata dhe arbitrazhe te inskenuara”.

Hamiti tutje tha se individë të kontrolluar nga grupe të caktuara kanë plaçkitur siç tha 30 për qind të të hyrave të Telekomit.

“Individë që ishin në kontroll të grupeve krijuan skemën e ashtuquajtur operator mobil virtual që njihet si ‘Z mobile’. Këto sktruktura zbuluan një skemë që është kriminale për plaçkitjen e mëse 30 për qind të të hyrave, derisa po flasim 30 për qind e të hyrave shkojnë në xhepat e kësaj konpanie”.

Hamiti tha se kjo skemë është paraqitur te UNMIK-u, te prokurorët e EULEX-it dhe te kryeprokurori i Kosovës, por sipas tij prokuroria nuk po vepron.

“Aty janë dhënë hollësitë e krimit, kush e nisi, idenë e kanë dhënë strukturat që qëndrojnë prapa plaçkitjes. Përkundër faktit se prokuroria i ka hollësitë me emër e mbiemër nuk vepron. Prokuroria nuk është e interesuar të hetojë këtë krim, ajo do që të amnistojë këtë krim.”

Hamiti ka pasur kritika edhe shtyrjen e aplikimit të kodit shtetëror telefonik të Kosovës. Ai vlerësoi se Telekomi gjendet në situatë jo të mirë edhe për shkak të sabotimit të kodit dhe kjo sipas Hamitit është e dhimbshme.

“Kodi në vazhdimësi është sabotuar nga ata që kanë pasur për të zgjedhur kodin, që ka qenë UNMIK-u. Gjendja e keqe në Telekom është edhe per shkak të sabotimit të kodit”.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi ka deklaruar se implementimin e kodit telefonik shtetëror 383, e kanë shtyrë deri më 31 tetor për shkak të krizave të vazhdueshme që ka pasur Telekomi i Kosovës. Afati fillestar i paraparë për implementimin e kodit telefonik shtetëror 383 ka qenë 1 qershori i këtij viti.

Të ngjashme