VV qet në billboarde “luksin” e djalit të presidentit

Prishtinë | 17 Mar 2018 | 16:17 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vendosur billboarde në disa vende të frekuentuara në Prishtinë, duke vendosur pranë e pranë fotografi, që sipas tyre tregojnë luksin e djalit të presidentit Hashim Thaçi dhe varfërinë e shumicës së qytetarëve.

Në fotografitë, që duket se janë marrë nga Facebooku i Endrit Thaçit, djali i presidentit Thaçi shihet gjatë udhëtimeve dhe pushimeve në vende të ndryshme jashtë, në kohën kur shumica e qytetarëve nuk mund të udhëtojnë edhe për mungesë të liberalizimit.

Ndërsa, për krahasim janë vendosur fotografi të cilat sipas aktivistëve tregojnë “mjerimin e përditshëm në Kosovë”.

Valdrin Ahmeti, aktivist i Vetëvendosjes, tha se me këtë aksion duan të tregojnë se në Kosovë ekziston mjerim, ndërkohë që djali i presidentit jeton në luks.

“Përmes këtyre billboardeve kemi menduar të adresojmë mjerimin në Kosovë, të cilën e kanë shkaktuar qeverisjet e deritanishme të pasluftës, e sidomos koha kur qeveriste Hashim Thaçi dhe qeverisjet e mendësisë së Thaçit, të cilat janë pasuar pastaj edhe nga Isa Mustafa dhe tash nga Ramush Haradinaj”, tha Ahmeti për Ekonomia Online.

“Në njërën anë e keni luksin e shfrenuar të djalit të Hashim Thaçit nëpër të gjitha vendet e botës dhe në anën tjetër e keni mjerimin e shkaktuar nga pushtetarët e pasluftës ndaj popullit dhe Kosovës. Kemi vendosur diku 6 billboarde nëpër qytet”, shtoi Ahmeti.

Aktivisti i VV-së deklaroi se këta politikanë po ofrojnë vetëm ikjen nga Kosova përmes faljes së tokave.

“Ne si lëvizje mendojmë që është shqetësuese sepse ka papunësi shumë të madhe në Kosovë, ka varfëri ekstreme shumë të madhe dhe mjerim. Këta politikanë të cilët kanë marrë votat për ta rregulluar mirëqenien në Kosovë, kanë marrë votat për ta përmirësuar jetën, e vetmja që po na ofrojnë tash është ikja nga ky vend përmes faljes së tokave të një marrëveshjeje të cilën e ka nënshkruar Hashim Thaçi”, tha Ahmeti.

Të ngjashme