VV thotë se mërgimtarët po zhvaten përmes polisave të sigurimit

Prishtinë | 11 Kor 2016 | 15:09 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Zvicër thotë se mërgatës shqiptare nga Kosova, s’po u ndahen zhvatjet. Në një reagim për medie, thuhet se përpos shumë investimeve individuale të shkuara dëm nën trysninë e administratës së korruptuar nga sundimtarët e Kosovës, si gjithnjë, në prag të pushimeve verore, zyrtarët sundimtarë, nuk harrojnë, që nën emrin e “polisave të sigurimit”, të vazhdojnë grabitjet e tyre për mërgimtarët ende pa hyrë brenda kufirit të Kosovës.

“Kësaj radhe, rolin e përkrahësit zyrtar të institucioneve të Kosovës e mori vetë kryeparlamentari Kadri Veseli. Përmes mashtrimit të ri, me qëllimin gjithnjë të vjetër, Kadri Veseli, priti para dy ditësh në konsultë Kryetarin e Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin që së bashku me Gani Thaçin, përbëjnë dyshen grabitqare të mërgimtarëve në pikat kufitare të Kosovës”.

“Publiciteti dhe vetë forma e paraqitjes para opinionit publik, na bëjnë të dyshojmë, se zgjidhja e problemit të Kartonit të Gjelbër do të shtyhet deri në pakufi me vetë përkrahjen e Veselit dhe drejtuesve kryesorë të këtij rrjeti”.

Për këtë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër, ngrenë zërin dhe denoncojnë publikisht metodën grabitqare ndaj mërgatës.

Deri më tani, nga llogaritë e thjeshta del se nga kjo dyshe, nën kontrollin dhe për egon e tyre të pangopur, janë grumbulluar mbi 120 milionë euro. Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, para institucioneve, as para opinionit të Kosovës, dyshojmë se pjesa dërmuese e kësaj shume, është përdorur në kundërshtim të çdo rregulli dhe ligji të një shteti të drejtë.

“Ngritja e zërit dhe denoncimi para prokurorit të shtetit të bëhet urgjent dhe pa mëdyshje. Dyshja, Rrahim Pacolli dhe Gani Thaçi, të bëhen objekt i hetimit dhe të dërgohen para gjykatës”, thuhet në një komunikatë shtypi.

Sipas VV-së, kjo detyrë, pa hezitim, i takon dhe duhet ta marrë përsipër Prokurori i Republikës së Kosovës Aleksandër Lumezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme