Xhafa: Uji i krojeve i sigurt për pije, problem ujitja me të

Prishtinë | 26 Kor 2022 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Kompania Rajonale Ujësjellësit “Prishtina” është ujitja e tokave bujqësore me ujë të pijshëm, ka bërë të ditur Sokol Xhafa, kryeshef ekzekutiv në këtë kompani.

Xhafa ka thënë të martën në “Sot” të KTV-së, se kjo ndodh në zonat rurale, derisa problem sipas tij në zonat urbane është shpërdorimi i ujëmatësve.

“Keqpërdorimet janë të llojllojshme. Shumica e rasteve në zonat rurale janë shpërdorim kur i ujisin tokat bujqësore. Përveç që i ujisin kopshtet, i ujisin edhe tokat bujqësore. Problemi në zonat urbane është shpërdorimi i ujëmatësve kur konsumatorët e kthejnë ujëmatësin nga krahu që numëron në rregull në krahun mbrapshtë. Janë dërguar raste të shumta në gjykatë. Për fat të mirë edhe gjykatat po veprojnë”, ka thënë Xhafa.

Ai ka folur edhe për borxhet ndaj kompanisë, derisa ka bërë thirrje që të pihet uji i Ujësjellësit, duke i garantuar qytetarët se është i sigurt.

“Cilësia është e mirë. Është e sigurt për pije, i ftoj të gjithë që ta pijnë ujin e krojeve sepse është ujë që kontrollohet gjatë gjithë kohës. Borxhet ndaj kompanisë sonë të amvisërisë janë mbi 40 milionë euro, janë rreth 7 milionë euro borxhe të bizneseve dhe institucioneve. Kjo rrezikon gjithë investimet kapitale. Nëse vazhdon një trend me pagesa kaq të ulëta si në dy muajt e fundit”, është shprehur Xhafa.

Sipas tij, probleme të tjera me të cilat përballet kompania është edhe rënia e nivelit të ujit në liqenin e Badovcit dhe mbikonsumi në qytetin e Podujevës.

Të ngjashme