Xhavit Haliti: Shteti t’ia paguajë të gjitha shpenzimet Haradinajt

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 18:32 | Nga

Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhavit Haliti, ka thënë në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës nga Strasbourgu, se shteti i Kosovës duhet t’ia paguaj të gjitha shpenzimet Ramush Haradinajt për këto katër muaj që ka qëndruar në Francë dhe po ashtu avokatët dhe shpenzime të tjera.

“Sa i përket shtetit të Kosovës unë shpresoj se të paktën qëndrimin e tij këtu, avokatët dhe shpenzimet e tjera t’i mbulojë”, ka thënë Haliti.

Ai e ka quajtur Haradinajn emblemë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ramush Haradinaj duhet të pritet si një figurë emblematike e UÇK-së, dhe si një figurë që nuk i është nënshtruar askujt sa i përket luftës së UÇK-së dhe ata që kanë simpati për të, ithtarët e partisë së tij, duhet ta kenë parasysh se si të veprojnë”.

“Vendimi për Haradinajn ka gëzuar çdo qytetarë të Kosovës, jo vetëm përse ka ndodhur ndaj një politikani të Kosovës, por ka ndodhur ajo që ka mund të konsiderohet përpjekja për ta njollosur UÇK-në dhe ky vendim tregon të kundërtën”.

“Drejtësia franceze nuk e ka dënuar UÇK-në, por drejtësia franceze ka shqyrtuar një kërkesë që Serbia përmes Interpolit ta ndalojë Haradinajn”.

“Serbia do të duhej t’i tërhiqte ato kërkesa, të mos i nxjerrë probleme edhe vet Europës me këto akuza”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme