Xhelal Sveçla në Facebook vetëlavdërohet për siguri e ligj, vrasësi i tre personave në Gllogjan endet i lirë

Prishtinë | 05 Dhj 2021 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Ani pse nuk janë bërë ende një vit prej kur Qeveria Kurti II mori pushtetin, Ministri i Punëve të Brendshme po pretendon se rezultatet në përmirësimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit veçse kanë nisur të shihen. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë.

Një prej ngjarjeve më të rënda në Kosovë gjatë këtyre viteve të fundit ndodhi para 10 ditësh, ku tre persona, dy prej tyre të mitur, u vranë në Gllogjan, por autoritetet nuk kanë arrestuar asnjë person lidhur me këtë krim të rëndë.

Lëvizja Vetëvendosje mbrëmjen e të së premtes e stërmadhoi një dokument të publikuar nga “World Justice Project”, ku Kosova renditej e para në fushën e sundimit të ligjit, raporton Demokracia.com.

Të njëjtin raport e shpërndau edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili nuk la pa lavdëruar Qeverinë Kurti duke thënë se “dinamika e tyre po vazhdon të rritet edhe më shumë në parandalimin dhe luftimin e krimit”.

Ajo që vlen të përmendet është se raporti i “WJP” është shumë i ngjashëm me atë të vitit 2020, kur në pushtet ishte Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Madje pikët e vlerësimit kanë vetëm 0.01 për qind dallim.

Raporti i publikuar për vitin 2021

Raporti i publikuar për vitin 2020

Në anën tjetër, në Kosovë 10 ditë më parë ndodhi një tragjedi e madhe, ku tre persona u vranë brenda një autobusi, nga një person që gjuajti prej jashtë me një armë të tipit kallashnikov, raporton Demokracia.com.

Dy nga viktimat ishin në moshën 17 vjeçare, ndërsa personi tjetër që mbeti i vrarë ka qenë shoferi i cili ishte duke vozitur autobusin.

Edhe pse kanë kaluar kaq shumë ditë nga ky rast, autoritet në Kosovë nuk kanë arrestuar ende asnjë person. Madje deri më tani Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar që ka edhe të dyshuar për këtë akt.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në deklarimin e fundit për këtë rast i kishte bërë thirrje dorasit që të dorëzohet, raporton Demokracia.com.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kishte thënë se moti i ligë i ka penguar për gjetjen e gjurmëve për këtë rast.

“Jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjell njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve hetimore dhe operative” kishte thënë Mehmeti.

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci lidhur me këtë rast ka thënë se hetuesia e ka humbur momentumin, duke marrë parasysh se gjurmët e krimit janë të freskëta vetëm një ditë më pas.

Madje, ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se me përvojën që ka në këtë fushë, brenda 10 ditësh do të arrinte t’i merrte informatat bazike rreth krimit.

“Me përvojën që kam – më duhen 3 persona nga inteligjenca e policisë, po aq nga FSK dhe AKI (ka individ shumë të aftë) – resurset informative të shtetit, si dhe përdorimi brutal i mjeteve të lejuara me ligj, lidhur me hetimin e rastit. Brenda 10 ditëve, informatat bazike lidhur me kryerësit e këtij krimi, do të diheshin”, ka thënë ai.

Të ngjashme