Xhemaj: Librezat partiake të mos shërbejnë për një vend pune

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Zyrës së Komunikimit në Partinë Demokratike të Kosovës, Bashmir Xhemaj  ka thënë se librezat partiake nuk duhet të shërbejnë për një vend pune. Reagimi i tij vjen pas emërimit në Bordet e Ndërmarrjeve Publike, të aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Dhe nuk mund të vazhdohet që një gabim e dështim i së kaluarës të zëvendësohet me një gabim të ri. Aq më pak nga ata që erdhën si premtim për ndryshim. Jo të paktën 20 vite pas luftës. Kosova ka djem e vajza të rinj e profesionist që mund t’i dalin ballë çdo detyre e pune. Librezat partiake të mos shërbejnë për një vend pune”, ka shkruar ai në Facebook.

Xhemaj ka thënë se shpresë për këtë shoqëri është reagimi pas këtyre vendimeve nga e gjithë shoqëria.

“Ky shtet do të bëhet. Kjo shoqëri ka vetëdije të lartë. Inkurajuese teksa po shoh reagimin dhe zhgënjimin e aktivistëve të shoqërisë civile, gazetarëve e qytetarëve të këtij vendi për emërimet e fundit të bordeve publike me aktivistë partiak të LVV. Me të drejtë u tha “kinse çkapja po vazhdohet me kapje të re””, ka shkruar Xhemaj.

Të ngjashme