Zbatimi i ligjeve që kanë për qëllim mbrojtjen e cilësisë së ajrit – i ulët

Prishtinë | 24 Nën 2020 | 15:15 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë ndotësit kryesorë të ajrit janë prodhimi i energjisë dhe veturat. Po ashtu, implementimi i ligjeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ajrit, nuk po zbatohen sa duhet nga niveli qendror dhe ai lokal.

Kështu ka thënë drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Afrim Berisha, gjatë prezantimit të raportit  vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2018/2019, në Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, raporton Ekonomia Online.

Ky raport edhe pse me vërejte u miratua nga anëtarët e Komisionit.

“Sa i përket të gjeturave te ajri të dhënat flasin për tejkalimin e parametrave dhe kjo është evidentuar në sezonin  e dimrit. Vlerësimet tregojnë se ndotësit janë prodhimi i energjisë, pastaj transporti. Është konstatuar se implementimi është shume i ulët i ligjeve në sektorin e ajrit, si në atë qendror dhe atë lokal,  sepse asnjë komunë nuk ka të dhëna për matjen e cilësisë së ajrit. Cilësia e ujerave vazhdon të jetë e ndikuar nga ndotja, por ka ndotje që vjen edhe nga përdorimi i pesticideve në bujqësi”, tha Berisha.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Bakija, ka thënë se për qeveritë e kaluara mjedisi nuk ka qenë prioritet, por fushat.

Ajo ka thënë se të gjeturat në këtë raport nuk kanë të bëjnë me punën e qeverisë.

“Për hartimin e këtij raporti Agjencia ka grumbulluar të dhëna mjedisore dhe janë përpunuar, janë prezantuar në këtë raport dhe paraqet gjendjen e mjedisit. Me të gjeturat kyçe të raportit ju ftoj ta mbështesni në qëllim të përmirësimit të gjendjes mjedisore në vend”, tha ajo.

Kryesuesi i Komisionit, Liburn Aliu ka pasur kritika sa i përket raportit sepse ai ka thënë se është i njëjtë si në 2017.

“Raporti i vitit 2017, është i njëjtë me atë se çka këtu  sot e keni prezantuar dhe në secilën pikë është copy-paste me përjashtim të disa rasteve. Numri i aktiviteteve është 311 dhe prej krejt këtyre janë vetëm katër gjoba, nëse kemi ndërtime ilegale nëpër zona së paku gjoba duhet të ketë. Për mu kjo i bie që nuk ka vullnet në këtë pikë”, tha ai.

Edhe deputeti Bajrush Xhemaili ka pasur kritika për qeverinë ngase nuk është bërë asgjë për me e ndal degradimin e ambientit.

” Si qeveri deri tash nuk ja kemi arrit si qeveri për me ndal këtë degradim të ambientit në përgjithësi dhe çdo gjë është degraduar. Shteti duhet me vepruar për riciklim të mbeturinave”, tha ai.

Të ngjashme