Zbulohet depo me armë të NATO-s, një person në kërkim

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 19:59 | Nga Ekonomia Online

Një informacion i mbërritur në policinë e Elbasanit, se një person ende i paidentifikuar, ka takuar afër një pike karburanti njërin nga vëllezërit Baho, Klevi Baho, para se atyre ti bëhej atentat me armë, ka sjellë kontrollin e disa banesave në fshatin Papër të Elbasanit.


Kontrollin e banesave që policia kishte selektuar u është besuar repartit special RENEA në Tiranë, ku efektivët e këtij reparti gjatë kontrollit në ambjentet e karburantit “E. Petrol”, krejt rastësisht kanë zbuluar një bazë armatimi, që besohet se i përket një grupi kriminal të fuqishëm në Elbasan.

Bëhet fjalë për 17 armë të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia e Elbasanit dhe të gjitha janë dërguar për ekspertim balistik dhe daktilografik në institutin e policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme.

Pjesa më e madhe e armëve janë moderne dhe që i përkasin prodhimit Francez dhe Belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO. Vetëm 7 janë kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte. Ndërsa pjesa tjetër janë armë të sofistikuara dhe që kanë një preçizion të lartë në qitje. Mes tyre ka dhe snajpera modern. Ndërkohë mësohet se 5 janë pistoleta me silenciator.

Nuk dihet se në çfarë rrethana dhe si kanë hyrë në Shqipëri ky armatim që përdoret nga ushtritë e NATO-s, por tashmë prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim edhe me drejtorinë qëndrore të policisë së Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore me qëllim zbulimin e personave që kishin në pronësi këto armë.

Lidhur me këtë ngjarje, momentalisht është shpallur në kërkim policor një person i cili quhet I.Beko. Ky person rezulton të jetë dhe pronari i karburantit “E. Petrol”, ku në ambjentet e këtij karburanti në një magazinë, policia gjeti arsenalin e madh të armëve.

Sipas burimeve ky person nuk ka asnjë lidhje me prokurorët e Elbasanit, por prej vitesh ka ushtruar aktivitetin e tij tregtar me disa pika karburanti në zonën e Elbasanit. I gjithë operacioni i policisë dhe prokurorisë është mbajtur supersekret pasi depoja e armatimit është zbuluar qysh në 1 korrik.

Të ngjashme