Zbulohet identiteti i “vajzës së Prokurorit” që kërcënoi kalimtaren

Prishtinë | 23 Kor 2022 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Shteti është vënë në veprim pas pamjeve të publikuara në media ku një vajzë e shan dhe e kërcënon një kalimtare, duke i thënë se “e kam babën prokuror”.

Kështu ka thënë për Express zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Rastit te cilit i referoheni, ju njoftojme se Prokurori i Shtetit ne koordinim te plote me Policine e Kosoves jane duke i ndermarre te gjitha masat e nevojshme karshi ketij rasti”, tha Ulaj.

Ndërkohë, Sinjali duke u thirru në burime ka shkruar se vajza që u prezentua si “vajza e prokurorit” është Valentina Aliu.

Sipas mediumit ajo u prezentua rrejshëm si “vajza e prokurorit”. Tutje raportohet se babai i Valentina Aliut jeton në diasporë dhe nuk ushtron detyrën e Prokurorit në Kosovë.

Ndaj saj pritet të shqiptohet gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe për kundërvajtje.

Ndryshe, për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci, i cili përmes një postimi në Facebook, sjelljet e vajzës janë të papranueshme.

Ai ka shtuar që edhe sjellja e gruas me fëmijë, nuk ka qenë e mirë.

“Gabimi në vendkalim të këmbësorëve i kësaj vajze është i patolerueshëm. Për sjellje të mos flasim. Por, edhe zonja nuk ka vepruar mirë. Nuk bllokohet komunikacioni, sidomos nëse je me fëmijë, për me të kërku falje, një individ i paedukatë. Thjesht, e ke videon dhe rastin e raporton në polici. Policia në këto raste është shumë efikase. Jam i bindur që kjo vajza do të dënohet me gjobë të madhe”, shkruan ai.

Të ngjashme