Zëdhënësi i Qeverisë: Le të angazhohemi që numri i të infektuarëve të mos rritet

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Perparim Kryeziu, zyrtari për media në Zyrën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në dhjetë ditët e fundit, 340 persona janë shëruar nga virusi Covid-19 dhe se brenda këtyre ditëve janë shënuar edhe 80 raste të reja.

“Për dhjetë ditë rresht, rezultatet e publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë treguar bilanc pozitiv ndërmjet raportit të të infektuarëve dhe të shëruarëve. Pra, në dhjetë ditët e fundit kemi katërfish më shumë të shëruar sesa raste të reja të infektimit me COVID-19. Përkatësisht 340 raste të shëruara dhe vetëm 80 raste të reja. Tashmë, numri i të shëruarëve ka tejkaluar numrin e rasteve aktive”.

“Kjo trajektore sigurisht që është lajm i mirë. Ajo është rezultat i veprimeve të hershme dhe të duhura të Qeverisë së Republikës së Kosovës, rekomandimeve të IKSHPK-së, si dhe punës së palodhshme të mjekëve dhe infermierëve. Padyshim që të gjitha këto nuk do të peshonin aq rëndë po mos të ishte vetëdija e lartë e treguar nga qytetarët e vendit në respektimin e vendimeve, masave dhe udhëzimeve për parandalimin dhe menaxhimin e COVID-19”.

Kryeziu deklaroi se vëmendja dhe kujdesi edhe pas këtyre shifrave duhet të jetë i njëjtë nga të gjithë.

“Thirrjet tona po ashtu vazhdojnë të jenë të njejta. Lehtësimi i masave nuk duhet të na lehtësojë përgjegjësinë dhe përqendrimin në faktin se virusi nuk ka kaluar ende”.

“Derisa i gëzohemi uljes së numrit të rasteve aktive të të infektuarëve dhe rritjes së numrit të të shëruarëve, ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me familjarët dhe më të afërmit e viktimave të deritanishme”.

“Le të punojmë dhe urojmë që numri i viktimave të mos rritet, le të angazhohemi që numri i të infektuarëve po ashtu të mos rritet, dhe le të kujdesemi që numri i të shëruarëve të shtohet çdo ditë shumëfish”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme