Zejnullahu: Ndalimi i thëngjillit për ngrohje, rrit kërkesën për dru dhe dëmton pyjet

Prishtinë | 19 Nën 2018 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu ka thënë se mbrojtja e pyjeve mbetet një sfidë.

Sipas tij, komunat ku më së shumti ka dëmtime të pyjeve janë: Deçani, Podujeva dhe Mitrovica.

Zejnullahu ka treguar se dëmtime të pyjeve ka edhe në pjesën veriore të vendit.

“Dëmtime të pyjeve ka në të gjithë territorin e Kosovës, por tek pyjet e larta me një rëndësi më të madhe ekonomike i kemi pyjet e Deçanit, regjionin e Podujeve, regjionin e Mitrovicës. Por gjendja më e mirë është në regjionin e Gjilanit, ndoshta prerja më e kontrolluar dhe ligjore është në pjesën e Dragashit”, tha ai, duke shtuar se dëmtimi i pyjeve në Deçan është për shkaka se druri përdorët në ndërtimtari dhe përfitimet janë më të mëdha.

Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu ka kritikuar disa vendime të cilat merren në Qeveri, duke thënë se aty shikohen interesat e ministrive.

Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, gjatë intervistës për Telegrafin

“Me ndalimin e përdorimit të thëngjillit, rriten kërkesat për shfrytëzimin e drurit si lëndë djegëse. Dëmet janë të mëdha, e sasia e masës drunore e cila shfrytëzohet kërkon kohë që të krijohet. Vendimi i cili ndalon shfrytëzimin e thëngjillit për ngrohje krijon probleme dhe kërkesa për shfrytëzimin e pyjeve për ngrohje”, tha Zejnullahu.

Ai ka thënë se kalimi i përgjegjësisë për mbrojtjen e pyjeve nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, te komunat, nuk ka përmirësuar gjendjen.

Ndryshe, Kosova ka 44.57 për qind të territorit me pyje, pjesë tyre 60 për qind janë pyje shtetërore, ndërsa 40 për qind janë pyje private.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme