Zekaj: Thaçi u mor në pyetje për aktakuzën, fillim i procedurës ishte i çuditshëm

Prishtinë | 13 Kor 2020 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ka pasur dilemë për intervistimin e presidenti Hashim Thaçi për shkak të fillimit të çuditshëm të procedurës nga ana e prokurorit. Zekaj ka thënë se procedura nuk ka qenë e zakonshme për Dhomat e Specializuara.

Zekaj ka folur në emisionin Raport në KTV, ndërsa ka theksuar se deklarata e Thaçit të hënën mbrëma ka hequr dilemat.

“Deklarata e Thaçit e ka sqaruar dilemën juridike për shkak të fillimit të çuditshëm të procedurës nga ana e prokurorit. Nuk ka qenë e zakonshme për dhomat e specializuara. Kemi pasur edhe rastin tjetër, që gjatë muajit shkurt prokurori i specializuar ka kërkuar përcaktimin e një gjyqtari të procedurës paraprake nga vet kryetarja e gjykatës dhe ai është përcaktuar, pasi pretendohet se janë dërguar aktakuza. Në prill e patëm kërkesën e dytë, aktakuzën e dytë. Por për vetë faktin që aktakuza në mënyrë të çuditshme doli në publik nga ana e prokurorit, na la në shumë mëdyshje se me çka kemi të bëjmë me këtë rast. A kemi të bëjmë me pengim të drejtësisë nga Thaçi si aktakuzë e re, që potencialisht do të mund të ishte apo pikë e re aktakuzës, apo për aktakuzën që e dërgoi prokurori special. Në bazë të intervistimit për dy ditë dhe deklaratës së shkurtër të Thaçit që janë parashtruar pyetje edhe për UÇK-në, na dha të kuptohet se është marrje në pyetje për aktakuzën që është dërguar me 10 pika, ashtu si ka dalë në opinion, që është shumë e çuditshme për shkak se janë publikuar vetëm dy emra, kurse në aktakuzë flitet për më shumë të akuzuar”, ka thënë Yll Zekaj.

Ai vlerëson se më dilema nuk ka. Zekaj thotë se në aspektin juridik, intervistimi është dashur të bëhet para se aktakuza të dërgohet për konfirmim.

“Me këtë sqarim është hequr dilema. Sot është intervistuar për aktakuzën me 10 pika, që në aspektin juridik ishte dashur të intervistohet para se ajo të dërgohet për konfirmim, me qëllim që t’i jepet mundësia edhe të dyshuarit, pasi që në këtë fazë mund të konsiderohet vetëm i dyshuar, që të jep pretendimet e tij lidhur me aktakuzën. Pastaj ajo të dërgohet për konfirmim të aktakuzës, për çka ka qenë një proces i çuditshëm i vet prokurorit të specializuar”, ka shtuar Yll Zekaj nga IKD.

Të ngjashme