Zekaj thotë se nuk është relevante të merret parasysh kërkesa e viktimave të dhunës që të kthehen në shtëpi

Prishtinë | 07 Jan 2022 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj, thotë se dhuna në familje, në baza gjinore dhe tash eskalimi në vrasje po kalon në një dukuri në vend.

Ai, duke folur për rastin e vrasjes së gruas në Llaushë të Skenderajt, tha se reagimi i kryeprokurorit të shtetit tregon se ka drejtësi selektive dhe kërkesa për përgjegjësi selektive në Kosovë.

Zekaj, i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës tha se ju vjen mirë që ka reagim, por nuk e shohin si serioz.

“Kjo po tregon se sa në mënyrë jo serioze po merret kjo çështje nga vete institucionet e shtetit të Kosovës përkatësisht ato që po duhet ta kuptojnë këtë dukuri. Kemi Policinë e Kosovës, kemi prokurorinë, e sidomos Sistemin Prokurorial, të cilët në disa nga këto raste po bien nga provimi përshkak të neglizhencës për ta trajtuar rastin ashtu siç përcaktohet me ligj.” u shpreh ai.

Tutje, Zekaj deklaroi se është evidente se rastet e dhunës në familje janë rritur dukshëm në vend. Ai gjithashtu tha se nuk është relevante të merret parasysh kërkesa e viktimave që të kthehen në shtëpi.

“Duhet të kemi parasysh që në shumicën e rasteve kjo është kërkesa e viktimave, duke pasur parasysh edhe çështjet kulturore edhe presionet e familjes. Ne pamë edhe në rastin konkret djalin e viktimës për të cilin institucionet u arsyetuan se kanë pasur presion të kthehen. Dhe këto asnjëherë nuk duhet të ndodhin, rastet e dhunës në familje janë raste që ndiqen në aspektin zyrtar nga prokuroria dhe nuk i lihet në dispozicion as të viktimës as të anëtarëve të familjes për ta përcaktuar vullnetin e këtyre rasteve.”

Ai tregoi se në kuadër të IKD-së funksionon edhe Qendra për Ndihmë Juridike Falas, një komponentë e së cilës ofron ndihmën juridike falas për rastet e dhunës në familje.

“Çdo javë kemi dhjetëra raste të raportuara të dhunës në familje që ofrojmë ndihmë juridike. Por ajo që është më shqetësuese është qasja që ofrojnë institucionet, përkatësisht ata që ju drejtohen viktimave të dhunës në familje. Ne kemi raste në qendrën tonë kur policia, përkatësisht prokuroria, e pyet viktimën nëse agresori duhet të mbahet apo të lirohet, kjo qasje e institucioneve tona është shqetësuese dhe në fund kemi një situatë të tillë.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme