Zemaj në Lipjan, thotë se trafikimi i qenieve njerëzore është njëra nga mënyrat moderne të skllavërisë

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Armen Zemaj, ka vizituar qendrën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Lipjan.

Me këtë rast, Zemaj është njoftuar për nevojat e personave të trafikuar, furnizimin e deritashëm të qendrës me medikamente dhe përkujdesjen shëndetësore.

“Në Muajin kundër trafikimit të qenieve njerëzore, vizitova qendrën në Lipjan, me këtë rast takova përgjegjësit e kësaj qendre. U informova për nevojat e personave të trafikuar, furnizimin e deritashëm të qendrës me medikamente dhe përkujdesjen shëndetësore”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka shkruar se “Trafikimi i qenieve njerëzore është njëra nga mënyrat moderne të skllavërisë, andaj, ne me mundësitë tona, si shtet dhe shoqëri, iu kemi kundërvënë kësaj dukurie të shëmtuar”.

“Dukuria e trafikimit, për fat të keq, viteve të fundit ka ngritje të rasteve të numrit të rasteve edhe në Kosovë, ku kryesisht vajzat apo personat e mitur i nënshtrohen dukurisë së trafikimit, me origjinë nga Kosova por edhe nga vendet e rajonit. Përkujdesja për personat e trafikuar do të jetë e plotë nga personeli profesional dhe i aftësuar, duke bërë edhe informimin për këtë dukuri dhe për pasojat e trafikimit”, ka shkruar Zemaj.

Të ngjashme