Zemaj viziton QKUK-në, kërkon që pacientët të kenë trajtimin e duhur

Prishtinë | 21 Nën 2020 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka vizituar klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ka parë nga afër gjendjen e tyre, përcjell Ekonomia Online.

Në këtë vizitë, ai ishte së bashku me u.d. drejtorin e ShSKUK-së, dr. Saudin Maliqi.

“Së bashku me U.D. Drejtor i ShSKUK-së, dr. Saudin Maliqin, vizituam klinikat e QKUK-së për të parë gjendjen sa i përket hapësirave dhe situatës me barna për trajtim të pacientëve me Covid 19. Personeli shëndetësor, në çdo klinikë dhe spital, përkundër lodhjes dhe ngarkesave, janë në krye të detyrës”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

Zemaj ka kërkuar që pacientët të kenë trajtimin e duhur, të mos ketë mungesa, as të hapësirave, as barnat e Listës esenciale dhe atyre të protokolleve, oksigjeni dhe çdo gjë tjetër për trajtimin efikas të pacientëve.

“Klinikat dhe spitalet janë të mbushura, personeli shëndetësor është tejet i angazhuar, por jeta e qytetarëve tanë është më e vlefshme se çdo gjë tjetër. Të gjithë së bashku duke ruajtur njeri-tjetrin, ruajmë familjet tona, sistemin shëndetësor dhe Republikën e Kosovës. Bashkë ia dalim!”, shkruan ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme