Zëvendësministri Arifaj takohet me bordin e KRU “Hidrodrini”

Prishtinë | 14 Kor 2021 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë (ME), Mentor Arifaj dhe udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NjMNP) janë takuar me bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Hidrodrini” Sh.A. për të diskutuar rreth situatës së ditëve të fundit me helmimin e rreth 1500 banorëve të Deçanit me rrethinë.

Gjatë takimit të përbashkët, bordi dhe menaxhmenti i KRU “Hidrodrini” Sh.A. i kanë paraqitur zv.ministrit dhe udhëheqësit të NjMNP-së, rezultatet e analizave kimike, fizike dhe të metaleve të rënda të cilat të gjitha kanë rezultuar brenda normave.

Bordi dhe menaxhmenti i KRU “Hidrodrinit” Sh.A. gjatë takimit i kanë treguar përfaqësuesve të ME-së për hapat që i kanë ndërmarrë deri tani dhe vizitat në terren duke përfshirë pusetat, bazenat dhe fshtatrat në të cilat ka pasë raste por gjatë këtyre vizitave nuk kanë vërejtur diçka substanciale.

Tutje, përfaqësuesit e ME-së janë takuar edhe me Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ku e kanë siguruar atë që ME është duke shqyrtuar të dhënat më të fundit si dhe analizat e muajve të kaluar të ujit për të kuptuar sa më mirë situatën e tanishme dhe për të gjetur në mënyrë korrekte shkaktarin.

Theksojmë se gjatë ditëve të fundit, ME ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë “Hidrodrini” Sh.A. si dhe me të gjitha palët tjera që ndërlidhen me situatën dhe për të mbledhur të gjitha informatat relevante teksa ndodhin për të kuptuar sa më mirë situatën dhe për të ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm në këtë drejtim.

Të ngjashme