Zgjedhjet në BIK mbahen të shtunën, Tërnava sfidohet edhe nga kandidatë tjerë

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 16:48 | Nga Ekonomia Online
Bashkësia Islame e Kosovës gjatë ditës së shtunë pritet që të zgjedhë kryetarin e ri të saj. Aty pritet që për një mandat të katërt të rikandidojë Naim Tërnava, personi që aktualisht mban postin e të parit të BIK-ut.
Të shtunën me fillim prej orës 10:00, do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi.

E përkundër se ende askush nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e vet, Naim Tërnava do të sfidohet edhe nga kundërkandidatë të tjerë, e që pritet që në numër të jenë më shumë se dy.

Sipas Resul Rexhepit, një individ nuk mund ta propozojë veten për kandidat në këtë post.

Ai për lajmi.net bën të ditur se vetëm subjektet e BIK-ut mund ta bëjnë një gjë të tillë. E që një kandidat të vazhdojë më tutje me kandidaturën e vet, emri i tij duhet të propozohet nga më shumë se pesë subjekte.

“Procesi tek ne nuk është si ai tek partitë politike. Ne nuk kemi të drejtë të paraqesim vetë kandidaturë. Por, në qoftë se një subjekt me të drejtë e që përshijnë Këshillet e Bashkësisë Islame, dhe ata shembull më propozojnë mua, e që duhet të jenë më shumë se pesë, atëherë ata më japin mua legjitimitetin për të vazhduar më tutje në garë për zgjedhjen e myftiut. Pra ne nuk kemi të drejtë të propozojmë vetveten”, sqaron Rexhepi.

Se Tërnava do të sfidohet edhe nga të tjerë kandidatë, e konfirmon edhe vetë Sekretari i BIK-ut.

“Të gjithë Këshillet kanë propozuar kandidatët e tyre, pra do të jenë më shumë se një”, përfundoi ai.

Megjithatë, kandidatura e Tërnavës nuk është pritur mirë në opinion dhe nga imamët në Kosovë.

Lajmi.net më herët kishte raportuar për kundërshtimet në rikandidimin e Naim Tërnavës në këtë post.

Lidhur me këtë çështje, ishte shkaktuar zhurmë e madhe në opinionin publik, teksa Tërnava ishte shënjestruar si një person i cili “ka ngulfatur mendimet dhe opinionet në Bashkësinë Islame”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme