Zhurma për shtesat e pensioneve, kush përfiton më shumë e kush më pak

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i djeshëm i Qeverisë Kurti për shtesat e pensioneve i ngriti në këmbë të gjithë. Nga pensionistët po konsiderohet vendim joligjor, derisa opozita po thotë se është vendim skandaloz dhe nëpërkëmbës. Por, çka parashihet me vendimin e ri dhe sa pensionistë ndikohen nga ky vendim?

Pensionistët që në tre muajt e fundit kanë marrë shtesa në vlerë 30 euro, tash e tutje do të marrin nga 10 ose 25 euro shtesa. Kështu është vendosur në mbledhjen e djeshme të Qeverisë Kurti.

Me këtë vendim, të gjithë pensionistët jokontributdhënës do të barazohen, duke marrë nga 100 euro në fund të muajit. Për dallim nga shtesat e tjera, kjo do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit.

Pa një vendim të tillë, përfituesit e pensioneve do të merrnin nga 75 ose 90 euro, ashtu siç ishte e planifikuar në buxhetin e vitit 2021.

Por, sa persona përfitojnë nga ky vendim?

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve kanë deklaruar se përfitues të pensioneve në vlerë nën 100 euro, janë mbi 165 mijë persona.

Prej tyre, rreth 20 mijë marrin pensione në vlerë 75 euro.

“Duke u bazuar në të dhënat e përfituesve të muajit Prill 2021, figuron që përfitues të pensionit nën shumën 100 € janë: Pension bazë 142692; shuma mujore e pensionit është 90.00€; Pension i personave me aftësi të kufizuara 19190; ndërsa vlera e pensionit në bazë mujore është 75.00€; Pension invalidor i punës 77; shuma mujore e pensionit është 90.00€; Pension familjar 3667; shuma mujore e pensionit është 90.00€”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë drejtuar Gazetës Express.

Nga Ministria kanë treguar se tek përfituesit e pensionit familjar mund të ketë ndryshime nëse përfituesi ka fëmijë nën moshën 18-vjeçare.

“Kur është fjala për përfituesit e pensionit familjar mund të ketë ndryshime nëse përfituesi i kësaj të drejte ka fëmije nën moshën 18, përkatësisht 26 (është në studime) – në këtë rast bazës së pensionit prej 90.00€ i shtohen edhe 15.00€ për çdo fëmijë”, kanë deklaruar nga MFPT’ja.

Kryetari i Pensionistëve: Nga gjithë ato premtime në zgjedhje me ra në 10 euro është turp

Por, ky vendim i Qeverisë Kurti, nuk është mirëpritur nga pensionistët e vendit.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Shaban Kajtazi, ka thënë se kjo çka ka ndodhur është e papranueshëm dhe johumane.

“Ne konsiderojmë vendimin e Qeverisë të pa papërshtatshëm, të papranueshëm, jo human dhe jo ligjorë. Në rast se kjo moshë është lënë anash, po përbuzet dhe nënçmohet me çdo veprim, jo vetëm nga kjo Qeveri por nga të gjitha qeverive të tjera”, tha ai.

“Është turp që vajzat dhe djemtë tanë me votat tona që erdhën në qeveri me i shkel aq keq këtë moshë, të cilët janë edhe më shëndetligë edhe materialisht ligë dhe janë në gjendje të rëndë”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka përmendur edhe kohën kur Kurti, u premtonte pensionisteve bërjen e ligjit për sigurime shëndetësore, dhe jo nga gjitha ato premtime të bien në 10 euro.

“Në muajin maj bëhet 1 vit kur kam qenë në pranim tek Kurti, mas marrjes së Qeverisë 1 dhe na ka premtuar se do ta bëjë ligjin për sigurime shëndetësore, invalidore që do ta bëjë ligjin për mbrojtje shëndetësore, por nuk dul asgjë prej asaj, prej atyre premtimeve me ra në 10 euro, kjo është një papërgjegjësi totale dhe e papranueshme” ka deklaruar ai.

Opozita: Vendim skandaloz e jonjerëzor

Verndimi i Qeverisë ka ngjallur edhe reagimin e opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur këtë vendim skandaloz, ta papranueshëm dhe nëpërkëmbës.

“Skandaloz, i papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimi i Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infemierët që po luftojnë me pandeminë. Kjo Qeveri që i la gjyshërit tanë pa vaksina tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe”, ka shkruar Hoxhaj.

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar këtë vendim.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se është jonjerëzore heqja e 20 eurove nga pensionet.

“S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore!”, ka shkruar Haradinaj.

Murati: 30 eurot ishin vetëm për 3 muaj, tash pensionet janë nga 100 euro

Pas shumë reagimeve për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, është deklaruar sot edhe njëhëre Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Murati ka thënë se shtesat kanë qenë vetëm për tre muaj dhe se tash me vendimin e ri do të vazhdojnë gjatë tërë vitit.

“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”, ka deklaruar Murati.

Tutje, Murati ka thënë se pa këtë vendim, pensionistët do të merrnin nga 75 ose 90 euro, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend.

“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro.

Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ka shkruar Murati./

Të ngjashme