Zhvendosja e objektit të MKRS-së, pezullohet protesta

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalë me një njoftim lidhur me zhvillimet e fundit rreth protestës që zyrtarët e Ministrisë kanë zhvilluar për 7 ditë pune me radhë, me qëllim kundërshtimin e zhvendosjes së kësaj ministrie nga objekti ku ndodhet aktualisht, përkatësisht vendosjen e së njëjtës në objekt me qira.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), pas kërkesës zyrtare të parashtruar nga Këshilli Organizativ i Protestës për menaxhmentin e lartë të Ministrisë, ka mbështetur tërësisht kërkesën në këtë fazë dhe zyrtarisht i ka kërkuar Ministrisë së Administratës Publike (MAP), pezullimin e përkohshëm të zhvendosjes, kërkesë kjo që është pranuar nga MAP-i, e cila çështjen e kohës dhe mënyrën e zhvendosjes e ka lënë në përgjegjësi të menaxhmentit të MKRS –së”.

“Këshilli Protestues ka mirëpritur këtë marrëveshje të të dy ministrive, e cila krijon kushte dhe hapësirë për të analizuar edhe njëherë arsyet dhe efektet e zhvendosjes, të cilat mundësojnë një vendimmarrje shumë më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjitha palët”.

“Këshilli Protestues, për shkak të kësaj situate, njofton pezullimin e përkohshëm të protestave të përditshme dhe informon se do të vazhdojë të jetë funksional dhe i gatshëm për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve adekuate, të cilat nënkuptojnë rishqyrtimin e tërësishëm të planit për vendosjen dhe akomodimin e MKRS –së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme