Zjarrfikësit festojnë ditën e tyre pa status të zgjidhur dhe moshë të shtyrë të të punësuarve

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 12:43 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, i gjen zjarrfikësit e Prishtinës në pozitë aspak të favorshme, raporton Ekonomia Online.

Latfi Zeka, komandant i  Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve(BPZ) në Prishtinë në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se zjarrfikësit po kryejnë punë të mrekullueshme, duke qenë në vijën e parë të frontit në çdo moment, por kjo ditë  nuk po i gjen në gjendjen e duhur,  kur dihet që statusi i tyre ende nuk është zgjidhur. Përkundër kësaj zjarrfikësit, gjatë këtyre katër muajve të vitit kanë kryer 600 intervenime.

Zeka shpreson se çështja e statusit do të zgjidhet në të ardhmen. Ai e sheh si problem edhe numrin e vogël të stafit  e të cilët janë që të gjithë në moshë të shtyrë.

“Me të vërtetë jemi në një gjendje jo të mirë kur dihet që statusi i zjarrfikësve në Kosovë ende nuk është zgjidhur. Ligjërisht jemi punëtorë të menaxhimit emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa rrogat dhe investimet kapitale i kemi prej Komunës . Zjarrfikësit kanë kryer një punë të mrekullueshme për këta katër muaj dhe vitet që lamë pas. Problemi kryesor është statusi që i rregullon të gjitha. Po shpresojmë në të ardhmen të zgjidhet ky problem. Pastaj është problemi tjetër që janë pak si staf ku gjithsej i ka 97 zjarrfikës,  plus 5 të Fushë Kosovës që punojnë dhe veprojnë tek ne. Prishtina i ka gjithsej 200 zjarrfikës, dhe janë në moshë të shtyrë diku 48 vjeç. Sa i përket teknikës dhe pajisjeve që i posedon BPZ-ja e Prishtinës, jemi të pajisur me automjete mjaftueshëm”, shtoi Zeka.

Mes tjerash, Zeka  tha se të gjithë zjarrfikësit që kanë punuar gjatë kohës së pandemisë janë furnizuar me pakon që ka ndarë qeveria, ndërsa ata të cilët për shkak të gjendjes shëndetësore janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi kanë marrë vetëm rrogat dhe nuk janë përfshirë në pako.

“Nga qeveria kemi marrë një pako që është ndarë për zjarrfikësit , shëndetësinë dhe i kanë marrur të gjithë ata që janë aktiv në punë, ndërsa ata që kanë qenë në shtëpi për shkak të moshës që nuk kanë qenë mirë me shëndet rrogën e kanë marrë mirëpo pakon jo nga qeveria”,  shtoi ai.

Ai tha se kanë mjaftueshëm furnizim për bartjen e ujit, mirëpo një e keqe është që e përdorin ujin e pijes për shuarjen e zjarrit në mungesë të pesetave.

“Kemi mjaftueshëm furnizim për bartjen e ujit. Ka disa vende në Prishtinë të cilët i shfrytëzojmë kur ka nevojë një e keqe është që e përdorim ujin e pijes, sepse nuk ka puseta mjaftueshëm për shuarjen e zjarrit” , shtoi Zeka.

Të ngjashme