Zjarrfikësit thonë se nuk e ndalin protestën derisa të takohen me kryeministrin

Prishtinë | 12 Kor 2018 | 11:22 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

(E plotësuar) Deputeti Milaim Zeka ka dalë para zjarrfikësve protestues dhe u ka premtuar mbështetje. Ai tha se është turp që kjo kategori të lihet në këtë gjendje.

“Unë jam në mbështetje të protestës. Shpeshherë mendojnë që dal në emër të partive, por kjo s’është e vërtetë. Është turp për të gjitha qeveritë e kaluara se në çfarë gjendje i kanë lënë zjarrfikësit e vendit. Në një shtet normal e dinë që pas policisë dhe ushtrisë, kategoria e tretë që duhet vendi m’i dhënë mbështetje janë zjarrfikësit. Këtë kategori me lënë në këtë gjendje të mjerushme është turp i Zotit”.

“Është turp me bo negociata me punëtorë e postet që e kanë rrogën 1100 euro, drejtori i Trustit e ka 6500 euro rrogën. E këta e kanë 300 euro dhe kjo rrogë nuk del as për higjienë të trupit. Rroga mesatare e zjarrfikësit që është poshtë 800 euro është fyerje”.

“I bëj thirrje kryeministrit Haradinaj të marrë vendim për punën e rrogave. Në interesin e kujt shkon mosardhja e ligjit për nivelizimin e pagave”.

Pas Zekës, para protestuesve doli edhe Besnik Tahiri, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se duhet të vlerësohet situata e zjarrfikësve dhe të gjendet një zgjidhje.

“E vlerësojmë punën, rrezikshmërinë dhe krejt angazhimin për punën e zjarrfikësve. Ajo çka ka ndodhë është se ka pasur një situatë të paqartë, disa lart e disa poshtë, prandaj kur nuk ka një rrugë hierarkike të dihet se situata e zjarrfikësve në përgjithësi. Nuk është se ne nuk e dimë edhe vlerësojmë situatën por duhet të japim një zgjidhje të saktë”.

Protestuesit paralajmëruan që nuk do të ndalen derisa të takohen me kryeministrin, por Donjeta Gashi tha se kryeministri nuk mund të takohet sot me protestuesit për shkak të agjendës së tij.

“Prej 2009 askush nuk është marrë me këtë çështje, prandaj është lajm i mirë që tash do të merret dikush me juve do të jetë në vendim. Problemi është për faktin se nuk dihet a kanë mbetur në anën e Ministrisë apo të komunave”.

Zjarrfikësit paralajmërojnë masa, nëse dikush nga Qeveria s’del në takim deri në orën 13

Zjarrfikësit që po protestojnë kanë paralajmëruar që nëse zyrtarët nga Qeveria nuk dalin në takim deri në orën 13:00, do të marrin masa, duke mos i cekur ato, raporton Ekonomia Online.

Ata janë duke pritur para Qeverisë prej orës 10:00.

Protestojnë zjarrfikësit, kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre

Zjarrfikësit kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, në shenjë revolte dhe pakënaqësie për gjendjen e tyre.

Protesta ka filluar nga Pallati i Rinisë, përmes sheshit të qendrës deri te Qeveria.

Protesta është paralajmëruar para dy ditësh nga Sindikata e Zjarrfikësve dhe është mbështetur edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Muharrem Beka, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, tha se protestuesit nuk do të shpërndahen deri në zgjidhjen e problemeve të tyre, raporton Ekonomia Online.

“Mosgatishmëria institucionale që ky shërbim të jetë funksional, që të jetë në shërbim të qytetarëve, ka sjellë këtë moment që të protestojmë”.

“Qëllimi jonë është që të na pranojnë në dialog Kryeministri dhe ministritë përkatëse që të dalim nga kjo gjendje”.

“Ne jemi këmbëngulës dhe nuk do të largohemi derisa nuk na ftojnë në një takim t’i diskutojmë problemet”.

Beka tha se kërkesat e zjarrfikësve janë që moti dhe se ato përfshijnë definimin e statusit, të kompetencave menaxhuese, krijimin e kushteve, kompenzimi për punën jashtë orarit, gjatë festave, natës dhe siguria shëndetësore.

“Kërkesat tona janë të kahmotshme, qe një dekadë”.

“Kërkesat tona janë definimi i statusit, definimi i kompetencave menaxhuese.  Ne nuk e dimë as punëdhënësin, nuk e dimë as kush është përgjegjës për krijimin e kushteve.

Kërkesa tjera janë kompenzimi për orët e natës, festat dhe orët jashtë orarit, raporton EO.

Kërkesë tjetër është nivelizimi i koeficientit, i cili është laraman në komunat e Kosovës.

“Zjarrfikësi për lëndimet që merr në vendin e punës, të gjitha shpenzimet mjekësore duhet t’i kryejë prej buxhetit të vet”.

“Ka komuna që i kanë vetëm tre zjarrfikës. Edhe me këta nuk mundet me u arritë asgjë në rast aksidentesh”, shtoi Beka.

Avni Hajdini, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tha se BSPK-ja e përkrahë protestën e zjarrfikësve dhe i apelon Qeverisë për përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Zjarrfikësit po e shprehin sot pakënaqësinë e akumuluar me vite”.

“Ju keni një mision të shenjtë që çdokush s’mundet me e kry, por qeveritarët tanë nuk janë në gjendje me e çmu”, shtoi ai.

Zjarrfikësit janë takuar me Rexhep Selimin, anëtar i Komisionit për Siguri. Ai u ka premtuar që do t’i përkrahë dhe do t’i thërrasë në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.

Zjarrfikësit po presin të takohen me kryeministrin Haradinaj.

Të ngjashme