Zogaj ankohet për mungesë të buxhetit e stafit: Disa komuna i mirëmbajnë memorialet vetëm në përvjetor

Prishtinë | 07 Dhj 2021 | 15:55 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e buxhetit dhe punëtorëve po vazhdon të jetë sfiduese për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), raporton Ekonomia Online.

Drejtori i AMKMK-së, Bislim Zogaj, tha para anëtarëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë, se operojnë me vetëm 21 punëtorë, që sipas tij është shumë vështirë.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fitore Pacolli, kërkoi të di se cilat janë prioritetet dhe projektet kryesore të AMKMK-së për këtë vit.

“Në bazë të buxhetit që e kemi të paraparë në kornizën afatmesme kemi qenë dy vite në pandemi, ku disa projekte kanë mbetur pa u finalizuar poashtu edhe për vitin 2022 kufijtë buxhetor na u është zvogëluar, megjithatë për ne si Agjenci prioritet mbeten projektet siç janë ai i Koshares dhe Malet e Berishës, kurse projekti ‘Adem Jashari’, është në kompetencë te komitetit ndërministror”.

“Projekt tjetër me rëndësi është edhe ai i Ibrahim Rugovës, që e kemi pasur probleme tjera. Besoj se me ndihmën e juaj do ta rregullojmë edhe atë memorial”.

Ganimete Musliu anëtare e këtij Komisioni, kërkoi të di për gjendjen e objekteve memoriale në vend.

Ndërkaq Zogaj tha se për dallim nga viti i kaluar, këtë vit qëndrojnë më mirë. Ai tha se disa komuna vetëm në akademi përkujtimore përkujdesen për objektet.

“Disa objekte memoriale jemi munduar që t’i fusim në mirëmbajtje sepse vetëm kur ka akademi përkujtimore që i mirëmbajnë”.

“Skenderaj e Podujevës është 90 për qind më mirë, ku gjithashtu edhe rrjeti elektrik është i shtrirë thuajse ne tërësi. Sfidë prej që kam ardhur në këtë Agjenci ka qenë evidentimi i objekteve që janë në kompetencë te Agjencisë”, tha Zogaj.

Anëtari tjetër Milazim Salijaj, kritika pati për gabimet e lapidarëve në vend. Ai tha se një vizitor duhet ta gjejë saktë lapidarin e jo të gabohet.

“Te pjesa ku i keni paraqitur lokacionet kur hyra në uebfaqe i gjeta dy lokacione, ku janë gabim, dhe nuk e kam bërë diçka por nëse një vizitor kërkon të shkoje te lapidari i Zahir Pajazitit, të shkoje saktë aty, dhe kur të shkon të lapidari Zahir Pajazitit, i del Hasan Prishtinës, pra këto gabime janë bërë”, tha Salijaj.

Zogaj tha se Projekti i Mehës, Projekti Ibrahim Rugovës, janë disa nga projektet që synohen të përfundojnë deri në fund të vitit 2022, raporton EO. 

Komisioni votoi planin e performancës për vitin 2022, por i bashkëngjit edhe disa rekomandime nga anëtarët prezent.

Të ngjashme