Zogaj thotë se Qeveria po i shënjestron në mënyrë tendencioze, ankohet për mungesë të stafit

Prishtinë | 05 Sht 2022 | 12:25 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj i ka quajtur tendencioze dhe të paqëndrueshme deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Zogaj ka reaguar edhe ndaj statistikave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se vetëm 400 lëndë janë zgjedhur.

“E them me përgjegjësi të plotë që nuk ka asnjë kërkesë nga MD që nuk u është përgjigjur KGjK. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar qasje të plotë në evidencat penale, dhe unë pyes se a është e drejtë kjo kërkesë. Dhe janë mbi 300 mijë qytetarë kanë lëndë penale dhe këtë nuk mund ta ketë askush”.

Ai ka folur edhe për rastin e 11-vjeçares dhe të akuzuarit e këtij rasti, duke përmendur mungesën e strehimoreve për rehabilitimin e viktimave.

“Ky rast nuk ka qenë asnjëherë në gjykatë, njëri nga të pandehurit e këtij rasti, e vërtetë që ka pasur lëndë në Gjykatë por kush merr përgjegjësi për këtë rast. Ne veç iu referum rastit që në gjykata nuk ka qenë rasti i të miturës. Ky rast është ndër rastet më të ndjeshme edhe në këndvështrimin e Këshillit Gjyqësor, por ne theksuam me logjikën që një gjyqtar nuk është një polic dhe një gjyqtar nuk është një prokuror”.

“Ne e kemi një çështje që është paraqit tash së fundi në gjykatë dhe siç ka theksuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, gjykata i ka trajtuar të gjitha kërkesat në mënyrë urgjente”.

Ai theksoi se ka nevojë për reflektim të politikës së ndëshkimeve, duke shtuar se të gjitha institucionet po i marrin masat për implementimin e udhëzuesve të Supremes dhe se gjyqtarët do të thirren para përgjegjësisë.

“Dje Kryeministri dhe ministrja e Drejtësisë iu referuan edhe statistikave. Ne kemi ndërtuar me ndihmën e partnerëve sistemin SMIL, sistemi për menaxhimin informativ të dosjeve dhe momentalisht besoj që jemi e vetmja agjenci e cila mundet me dhanë statistika”.

“Por, ajo që është prezantuar në publik është krejtësisht e pavërtetë, në mënyrë të thjeshtë e provuar e kundërta. Sistemi gjyqësor ka 431 gjyqtar sot, në funksion 382, 49 prej tyre janë në akademinë e drejtësisë. Nga të gjitha gjykatat që punojnë në çështjet penale, ne sot kemi 123 gjyqtarë aktiv në gjykatat themelore”.

Zogaj tha se 40 % e rasteve kanë të bëjnë me të mitur dhe gjykohen nga 9 gjyqtarë, respektivisht 11 gjyqtarë.

“Por pse nuk ka ma shumë, për shkak se nuk ka buxhet dhe kjo është përgjegjësi ekskluzive dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Qeverisë së Kosovës në sistemin gjyqësor. Në buxhetin e vitit 2022, vetëm 9 pozita janë lejuar për gjyqtarë dhe ato për Gjykatën Komerciale. Shpresojmë të kemi një reflektim më të thellë në vitin 2023”.

“Deri në momentin kur nuk kemi kapacitete të mjaftueshme me gjyqtarë, bashkëpunëtorë profesional, staf tjetër profesional, nënkupton që do të kemi parashkrime në sitemin gjyqësor, sepse mungesa e kapaciteteve nënkupton se nuk mund të trajtohen të gjitha çështjet me kohë”, deklaroi tutje Zogaj.

Ai theksoi se nga viti 2016 në sistemin gjyqësor janë pranuar 786 raste, për të gjithë kapitullin e veprave penale për cenimin e integritetit seksual dhe se në shumicën e këtyre veprave parashihet dënimi me kusht.

Konferenca e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, u ndërpre nga organizatorët e protestës kundër dhunës ndaj grave.

Ata fishkëllyen vazhdimisht dhe konferenca rinisi vetëm pas largimit të tyre nga salla.

Të ngjashme