Zogu: Gjendja jo e mirë e pyjeve, vetëm në vitin e kaluar 111 aktvendime nga gjykatat

Prishtinë | 06 Mar 2021 | 07:20 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Drejtoratit Qendror të Inspektoratit për Pyje dhe Gjueti, në kuadër të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Besim Zogu në një intervistë për Ekonomia Online, tha që gjendja e pyjeve nuk është në nivelin  e dëshirueshëm, kjo si pasojë e shumë faktorëve e ndër to: gjendja ekonomike, dhe mbingarkesa e punës për rojet e pyjeve.

Tutje Zogu tha që problem tjetër janë edhe rastet e dënimeve minimale nga ana e gjykatave.

“Mund të them se pyjet dhe gjendja e tyre, sa i përket mbrojtjes së tyre nuk është në nivelin e dëshirueshëm, për arsye se ende është niveli i lartë i prerjeve ilegale, mund të përmendim se ka shumë faktorë sa i përket gjendjes së këtyre pyjeve. Një prej shkaqeve kryesore është se kompetencat e mbrojtjes së pyjeve janë deleguar nëpër komuna sipas ligjit për pyje në vitin 2010, dhe bartja e këtyre kompetencave i ka gjetur komunat të papërgatitura qoftë në aspektin profesional, dhe logjistik. Por ka edhe faktorë të tjerë si gjendja ekonomike dhe sociale, mungesa e alternativave tjera për qytetarët për të siguruar ngrohjen, dhe po ashtu puna e gjyqësorit për arsye se gjykatat sektorin e pylltarisë nuk e marrin me shumë prioritet”, tha Zogu.

“Numri më i madh i lëndëve na parashkruhen, si rezultat i kalimit të afatit mbi dy vite, por edhe ato rastet kur gjykata merr vendimin për ti dënuar, ato dënime janë minimale. Për transportin ilegal të masave drunore parashihet dënimi prej 400 deri në 5 mijë euro dhe atë minimalen prej 400 euro arrijnë ta sigurojnë shumicën e rasteve pas ankesës në gjykatën e apelit. Ka edhe faktor tjerë ndër to edhe rojet që janë të stër ngarkuar me terrene, dhe shumicën e rasteve janë të ngarkuar më shumë se me terrenin që kanë me ligj,  500-1500 hektarë, dhe ndodh që tejkalojnë më shumë se këta hektarë dhe merreni me mend sa shumë hektarë i mbrojnë  këto roje dhe pagën nuk e kalon 300 euro”, u shpreh ai.

Vetëm në vitin 2020, Zogu tha që janë paraqitur 66 fletëparaqitje dhe gjithsejtë 111 aktvendime të ardhura nga gjykatat.

“Por sa i përket nivelit të prerjeve ilegale, unë mund të them që është bukur i lartë e kjo tregon edhe numri i fletëparaqitjeve që bëhen nga komunat dhe nga inspektorati. Gjatë vitit 2020, si Inspektoriat i kemi hartuar në 66 fletëparaqitje kundërvajtës dhe 18 kallëzime penale, kemi nxjerr 30 vendime ndërsa aktvendimet e pezulluara kanë qenë 25, aktvendime të dënuara kemi 53, të  hedhura 20, dhe aktvendime të dyshuara 7 ndërsa të refuzuara nga gjykata 5. Do të thotë gjithsejtë 111 aktvendime apo aktgjykime të ardhura nga Gjykatat themelore gjatë vitit 2020”, theksoi ai.

Ai tutje tha që nuk mund të merren parasysh këto të dhëna sepse ka qenë vit pandemik, dhe kanë qenë  më të kufizuara  kontrollet e  aksionet nga ana e inspeksionit, madje i pyetur për mundësinë që si rezultat i mos inspektimit nga ana e tyre mund të ketë liruar edhe më shumë prerjen e pyjeve, Zogu tha që kjo është e vërtetë, por që janë munduar t’i përshtatin rrethanat e inspektimeve me situatën pandemike.

“Po kjo është e vërtetë, na ka ndodhur që gjatë inspektimeve kemi pasur rast që tërësisht ka qenë e mbyllur, ndoshta me javë të tëra por ka ndodhur edhe sektori i pyjeve që është në kuadër të komunave sepse përgjegjësia e mbrojtjes së tyre në bazë të këtij ligji ka kaluar nëpër komuna, na ka ndodhur që drejtoritë nëpër komuna të jenë të mbyllura për shkak se njëri prej zyrtareve ka rezultuar të jetë me Covid-19. Kështu që gjatë vitit 2020 i kemi përshtatur rrethanat e inspektimeve me situatën e krijuar”, tha mes tjerash Zogu.

Drejtori tha që Kosova nuk ka nevojë më shumë për sipërfaqe pyjore, sepse nëse rritet një sipërfaqe në këtë rast ajo e pyjeve,  atëherë do të zvogëlohet një sektor tjetër.

“Unë jam ithtar i asaj që Kosova nuk ka nevojë më shumë për sipërfaqe pyjore sepse çdo rritje e sipërfaqes pyjore duhet me u rrit afër një sektori tjetër, nëse rritet sipërfaqja pyjore atëherë do të zvogëlohet sipërfaqja bujqësore, prandaj Kosova ka nevojë të zhvillohet jo vetëm në një drejtim, por në shumë drejtime. Ka nevojë për pyje, për kullosa edhe për toka bujqësore”, tha ai.

Në gjendje jo të mirë të pyjeve janë disa nga komunat e Kosovës, ndër to ajo e Podujevës,Therandës, dhe sidomos ato të veriut, ku sipas Zogut gjendja e tyre është më e keqe si pasojë e kufizimeve të qasjes në ato territore.

“Si gjendje e pyjeve, në përgjithësi është pothuajse e njëjtë, por në disa komuna dallojnë dhe janë zakonisht ato që kanë edhe resurset më të mira të këtyre pyjeve. Nuk qëndron  mirë komuna e Podujevës, e Therandës, gjendjen e mirë nuk e ka as komuna e Ferizajt, nuk është mirë as komuna e Novobërdës, po ashtu komunat e veriut të Kosovës janë komunat më të atakuar, edhe për shkak se ne kemi kufizime në qasjen e atyre territoreve, dhe gjendja e tyre është më e keqe, dhe çdoherë kur duam të bëjmë ndonjë kontrolle duhet të jemi të asistuar nga policia”, përfundoi ai.

Të ngjashme