ZRRE aprovon Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 14:34 | Nga

Bordi i ZRRE aprovon Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në
Kosovë, vlerëson konkurrencën e tregut, vendos Parimet e Përcaktimit të Tarifave për
Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH dhe ju rekomandon të gjithë
operatorëve që, edhe përkundër përmirësimeve të deritanishme, të rrisin përpjekjet për
përmirësim të shërbimeve dhe saktësi në raportimet rregullative.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e tij të parë për vitin 2017, të mbajtur
më 18 dhe 19 janar, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në
Kosovë. Ky Udhëzues vjen si rezultat i ndryshimeve ligjore dhe si nevojë e përshtatjes së legjislacionit
sekondar me ligjet e reja të energjisë, të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2016, të
cilat janë në përputhje me pakon e tretë të direktivave të Bashkimit Evropian dhe përcaktojnë
funksionimin e një tregu të lirë në sektorin e energjisë.

Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët
drejt funksionalizimit të tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe
kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të
energjisë elektrike. Definimi i kushteve nga Udhëzuesi do të shërbej si mbështetje për
amandamentimin dhe plotësimin e legjislacionit sekondar, të cilin aktualisht është duke e bërë ZRRE.

Gjithashtu Bordi ka shqyrtuar Raportin për Vlerësimin e Konkurrencës në Tregun e Energjisë Elektrike
në Kosovë. Raporti ka identifikuar se aktualisht janë tre [3] furnizues të licencuar për të furnizuar
gjithë tregun me pakicë të energjisë elektrike, mirëpo deri më tani dy nga këta të licencuar nuk janë
plotësisht aktiv dhe KESCO ende ka 100% të pjesëmarrjes në treg. Si pasojë e mungesës së
konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me
pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që ZRRE të përcaktojë
Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike.

Bordi ka shqyrtuar rekomandimet e raporteve të monitorimit të operatorëve të licencuar.
Rekomandimet, të cilat Bordi ka vendosur të ju përcjellë të licencuarve, përkundër potencimit të
përmirësimeve, theksojnë nevojën e përkushtimit më të madh nga të licencuarit për përmirësim të
shërbimeve dhe saktësi të prezantimit të të dhënave. Bordi ka vendosur që të njoftojë të licencuarit
se rekomandimet e raporteve janë obliguese dhe ka kërkuar që të ndërmarrin masa të
menjëhershme për plotësimin e tyre, ndërsa për çështjet përkatëse, Bordi ka vendosur që të jenë
pjesë e shqyrtimit periodik tarifor në mënyrë që të sigurohet se konsumatorët paguajnë vetëm për
kostot reale të shërbimeve të ofruara nga operatorët e rregulluar.

Po ashtu në këtë mbledhje Bordi ka aprovuar Parimet e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e
Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH. Këto dokumente përcaktojnë parimet mbi të cilat
OST dhe OSSH duhet të hartojnë Metodologjitë e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit
dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH.

Në këtë mbledhje po ashtu Bordi, pas shqyrtimit, ka aprovuar kërkesën/aplikacionin, e ndërmarrjes
“2 Korriku” sh.p.k, për shndërrimin e Autorizimit Fillestar në Autorizim Final për ndërtim të HC
“Soponica” KK Kaçanik, me kapacitet prej 1.3 MW.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme