ZRRE dhe KfW diskutojnë gjendjen e sektorit të energjisë në vend

????????????????????????????????????
Prishtinë | 03 Maj 2018 | 16:35 | Nga

Përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), janë takuar me Bordin e Zyrës së Rregullatorit
për Energji (ZRRE) për të diskutuar rreth gjendjes në të cilën ndodhet sektori i energjisë në vend dhe
në veçanti për gjendjen financiare të Operatorit të Sistemit të Transmisionit (KOSTT) dhe atë të
ndërmarrjes së ngrohjes qendrore në Prishtinë “Termokos”.

Renè Eschemann, shef i zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoni, i shoqëruar nga Nico Schȕtzhofer;
menaxher i projektit për Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë; dhe Ganimete Huruglica, përgjegjëse
për sektorin e energjisë në zyrën e KfW në Kosovë, kanë uruar anëtarët e ri të Bordit për mandatin e
tyre, dhe kanë shprehur kënaqësinë e tyre që më në fund Bordi i ZRRE është funksionalizuar. Me këtë
rast përfaqësuesit e KFW janë interesuar për proceset vendimmarrëse të çështjeve të rëndësishme të
sektorit të cilat po ashtu janë edhe brengë e KfW-së, si një nga donatorët dhe financuesit kryesor në
sektorin e energjisë në Kosovë.

Përfaqësuesit e KFW kanë shprehur shqetësimet e tyre të thella për gjendjen financiare të operatorit
të Sistemit të Transmisionit (KOSTT), pas vendimit të Gjykatës për mos pranimin e humbjeve të
shkaktuara nga furnizimi me energji elektrike në veri të vendit. Këto shqetësime, siç janë shprehur
ata, vinë për shkak të gjendjes së vështirë të krijuar në sektorin e energjisë. Sektor ky kyç i
bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Qeverisë Gjermane, por edhe i zhvillimit ekonomik të vendit.
Përfaqësuesit e KfW-së kanë theksuar se 10 vitet e fundit KfW ka investuar në KOSTT mbi 30 milion
euro dhe këto investime kanë qenë të suksesshme fal bashkëpunimit dhe angazhimit të KOSTT-it.
Megjithatë, përfaqësuesit e KFW kanë theksuar se ky partneritet mund të rrezikohet në rast se nuk
gjendet një dalje nga situata financiare në të cilën aktualisht është KOSTT.

Ushtruesi i detyrës së Bordit të ZRRE,  Arsim Janova, ka sqaruar për KfW, se ZRRE po ashtu është e
shqetësuar me gjendjen e krijuar në sektorin e energjisë pas vendimit të gjykatës. Me këtë qëllim
ZRRE, siç njoftoi Janova, ka alarmuar institucionet me të larta vendore, në mënyrë që të gjendet
një zgjidhje e cila nuk do të dëmtonte stabilitetin financiar të operatorëve dhe sistemin energjetik në
vend. Janova ka njoftuar po ashtu përfaqësuesit e KfW me mbarëvajtjen e procesit tarifor të
energjisë elektrike i cili me funksionalizimin e Bordit është intensifikuar, por siç theksoj  Janova, ky
proces nuk mund ta trajtoj edhe gjendjen e krijuar pas vendimit të Gjykatës, vendim ky i cili ka
larguar ZRRE-në nga përgjegjësia për të trajtuar humbjet e veriut përmes tarifave.

Përfaqësuesit e KFW gjithashtu janë interesuar për qëndrimet e ZRRE në lidhje me proceset tarifore
të sektorit të ngrohjes qendrore, sektor ky i cili po ashtu pas investimeve të përbashkëta është
dëshmuar të jetë një rast suksesi.

ZRRE duke falënderuar KfW-në si donator kryesor të këtyre projekteve ka njoftuar se proceset e shqyrtimeve tarifore për ngrohjen qendrore do të iniciohen para fillimit të sezonës së ngrohjes dhe se ZRRE do të përkujdeset që planet zhvillimore të aprovuara të jenë në përputhje me Master Planin i cili përfshinë investimet e planifikuara afatgjata të dedikuara nga donatorët e në veçanti nga KFW si një nga financuesit kryesor të investimeve në “Termokos”.

Janova ka potencuar rëndësinë e madhe të mbështetjes së donatorëve për sektorin e energjisë
dhe në veçanti ndihmën e KfW-së dhënë për KOSTT-in, Termokosin si dhe në përgjithësi sektorin e
energjisë. Duke i falënderuar përfaqësuesit e KfW,  Janova ka siguruar ata se ZRRE mbetet
jashtëzakonisht e përkushtuar dhe e angazhuar në gjetjen e një zgjidhje për trajtimin e humbjeve
dhe tejkalimin e vështirësive në të cilat ndodhet aktualisht sektori i energjisë elektrike.

Të ngjashme