Zvicra dëbon plakën 78-vjeçare nga Kosova

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 19:14 | Nga

Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, kosovarja 78 vjeçare vjen të jetojë te dy djemtë, në Zvicër, në Kantonin Schwyz. Por, Gjykata Federale me vendimin e saj e kthen plakën në Kosovë, pas katër vitesh qëndrimi në Zvicër.

Nuk është rast i rëndë, sipas shkallës më të lartë të gjyqësisë së Zvicrës, shkruan marchanzeiger.ch. Ajo kishte ardhur këtu në vitin 2013, me vizë turistike.

Njëri nga dy djemtë e saj, me leje qëndrimi të përhershëm në Zvicër (Vizë C) bën kërkesë për bashkim familjar për të ëmën. Por, Departamenti i Ekonomisë Popullore i Kantonit e hedh poshtë këtë kërkesë. Pastaj, si Ekzekutivi i kantonit, ashtu edhe Gjykata Administrative e vërtetojnë se gruas nga Kosova nuk mund t`i ndahet leja e qëndrimit për të kaluar pleqërinë e saj në Zvicër.

Kosovarja ushtron ankesë në Gjykatën Federale me pretendimin se është e detyruar të mbështetet te bijtë e saj që jetojnë në Zvicër.

Gjykata në fjalë, në vendimin e saj pranon se ajo, pas vdekjes së të shoqit ka nevojë për përkujdesje. Për këtë, kosovarja duhet të organizojë ndryshe jetën e saj.

Por, kjo nevojë si e tillë nuk e arsyeton marrëdhënien e veçantë të varësisë ndaj djemve të saj në Zvicër. Shumë më tepër duhen kërkuar mundësi zgjidhjeje në vendin e prejardhjes. Dhe, duke qenë se atje, në afërsi prej 10 kilometrash jeton e bija, një zgjidhje për plakën shikohet si e mundshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme