Zvicra gjobit avokatin nga Prishtina

Prishtinë | 30 Pri 2017 | 10:49 | Nga

“Në 20 raste gjykata nuk ka i ka shqyrtuar ato fare dhe vetëm një rast e ka shqyrtuar, duke ia hedhur poshtë. Edhe në vitin 2016 e kishte dënuar me gjobë, njëherë me 300 e pastaj me 700 franga, të cilat ai nuk ia ka paguar kurrë”

Gjykata Federale është shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër dhe asaj i drejtohen rastet që i kanë shteruar tashmë të gjitha mundësitë juridike. Por, ka tepër shumë raste që në adresë të kësaj gjykate dërgohen edhe lëndë që nuk e kanë vendin aty dhe që nuk merren në shqyrtim. Një analizë që e ka bërë kjo gjykatë nxjerr në sipërfaqe se asaj, nga viti 2007 e deri më sot i janë drejtuar nga avokatë të ndryshëm 5400 ankesa me gabime ose të padenja për t`u marrë në shqyrtim.

Gazeta e të dielës, SonntagsZeitung merret gjerësisht me këtë temë, duke u fokusuar në rastin e avokatit nga Prishtina, Franklin Sedaj.
“Në janar, gjyqtarëve të Gjykatës Federale u erdhi gjithçka në maje të hundës. Ata ia shqiptuan avokatit Franklin Sedaj një gjobë prej 1000 frangash për `ushtrim arbitrar dhe të pamatur të ankesave`. Avokati shqiptar nga Kosova në vazhdimësi i është drejtuar Gjykatës Federale. Një humbje kohe kjo, pasi që ankesat e Sedajt kanë qenë të pavlefshme. Në 20 raste gjykata nuk ka i ka shqyrtuar ato fare dhe vetëm një rast e ka shqyrtuar, duke ia hedhur poshtë. Edhe në vitin 2016 e kishte dënuar me gjobë, njëherë me 300 e pastaj me 700 franga, të cilat ai nuk ia ka paguar kurrë”, shkruan gazeta “SonntagsZeitung”, transmeton albinfo.ch.

Por, tash gjykata ka vendosur të shkojë një hap më tej. Në vendimin gjyqësor “8C 798/2016” të 17 janarit thuhet: “Mospagesa konsekuente e gjobave të rendit është e padenjë për një përfaqësues juridik profesionist. Nëse avokati Sedaj nuk do ta paguante gjobën në të holla deri në fund të muajit mars ai duhej të llogariste me një padi nga ana e Dhomës kompetente të avokatëve. Gjykata e ka kërcënuar avokatin veç kësaj që ankesat e tij të mos i marrë më fare në shqyrtim. Gjykata Federale është rrallë kaq e qartë në raport me avokatët.

Vërejtja në fjalë është po ashtu edhe pasqyrim i pafuqisë që mbretëron sot në Gjykatën Federale. Prej vitesh gjyqtarët më të lartë të vendit zhyten në një det të vërtetë ankesash. Rreth 8000 sish ishin vetëm vitin e kaluar, që është katërfish më shumë se në vitet `70. Në të njëjtën kohë numri i gjyqtarëve është rritur nga 28 në 38 sish. Por sot, gjykata mundet më shpejt të vendosë të mos e shqyrtojë ndonjë ankesë.
Më tutje gazeta përshkruan vendin ku ndodhet zyra e avokatit Sedaj, në (Rruga UÇK, Prishtinë), që “është një ndër adresat e dalluara në kryeqytetin e Kosovës, përcjell albinfo.ch. Në afërsi të saj ka banka dhe shitore stolish etj. Në mbishkrimin e zyrës mund të lexohet: Avokati Franklin Sedaj, përkthyes i gjermanishtes për Gjykatën e Qarkut të Prishtinës.

Autoritetet kompetente për kontroll të avokatëve për Sedajn janë ato kosovare. Kështu, nëse Gjykata Federale dëshiron të realizojë gjobën e shqiptuar, duhet të drejtohet atje. Por, Yll Zekaj, menaxher i Odës së Avokatëve të Kosovës, i pyetur nga gazeta ka thënë se nuk ka dëgjuar kurrë rreth vendimit të Gjykatës Federale të Zvicrës pe¨r dënimin me gjobë. Ndërkaq, ai vërteton se Franklin Sedaj është anëtar i Odës së Avokatëve, albinfo.ch

Të dhënat që paraqet Sedaj në ankesat e tij funksionojnë gjithmonë sipas modelit të njëjtë: Një kosovar ankohet për faktin se zyra e Pensioneve të Invaliditetit për të siguruarit jashtë vendit ia ka ndërprerë pensionin përkundër dëshmisë së mjekut se ai është i paaftë për punë, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Sedaj, secilën herë argumenton se vendimi i marrë nga gjykata kantonale, kompetente për sigurimet sociale ka marrë vendim e bazuar mbi një ekspertizë të njëanshme dhe për këtë arsye vendimi është i padrejtë. Por që Gjykata Federale të gjykojë në detaje një rast të këtillë, kërkohet një paradhënie deri në 5000 franga e nëse shpenzimet gjyqësore janë më të larta, edhe më tepër. Mirëpo Sedaj vepron me paradhëniet njësoj sikur me gjobat: thjesht, nuk i paguan.
Me rastin e pyetjes nga gazetari, Sedaj luan rolin e pësonit që s`ka ide për çka bëhet fjalë. “Unë nuk kam informacion se jam dënuar me gjobë nga Gjykata Federale. Unë punën time e kryej me ndërgjegje dhe në mënyrë profesionale. Të gjitha ankesat më janë miratuar”. I pyetur se a mund ta dokumentonte këtë, ai i humbet nervat. Jo, nuk mund ta bëjë këtë, për shkak të detyrimit për ruajtjen e të dhënave. “Ju lutem më lini në qetësi. Harrojeni emrin tim”, thotë ai dhe telefonata përfundon. Ai e lë hapur nëse ndonjëherë u jep llogari klientëve të tij lidhur me ankesat e tij të padobishme.

Sedaj, shkruan gazeta “është rast shembullor i një avokati që duket se abuzon me sistemin demokratik juridik të Zvicrës për përfitime të veta. Gjykata Federale mund të shqiptojë sa të dojë gjoba dhe kërcënime por aktualisht ajo nuk ka mundësi të ndalojë recidivistët si Sedaj nga bërja e ankesave”.

Ai nuk është i vetmi që shkakton rregullisht vendime të mosshqyrtimit. Gjykata në dhjetë vitet e fundit ka hequr dorë nga shqyrtimi i lëndëve në afër 40% të 73000 ankesave. Vitin e kaluar kanë qenë afër 3000 të pavlefshme nga gjithsej 8000 ankesa të bëra.

Duke qenë se në Zvicër nuk është e detyrueshme që ankesat t`i bëjnë avokatët profesionistë, (përveç në rastet penale) mund të vihet në përfundim se ato shpesh bëhen nga laikët.

Ngjashëm me Sedajn është ndarë edhe avokati serb nga qyteti Bülach i Kantonit të Cyrihut, Milosav Milovanovic, me specializim në të drejtën e sigurimeve. Ai ka zyrën e vet të quajtur këshillimore për të huajt. Ai, pas Sedajt vjen në vendin e dytë sa u përket ankesave të dështuara, transmeton albinfo.ch. Gjykata Federale ka reaguar në afër 40% të 219 ankesave të bëra nga ai. Shumica e madhe i janë refuzuar por në nëntë raste megjithatë ai ka fituar procesin.

Milovanovic pranon bisedën e gazetarin dhe tregohet i gatshëm të flasë për kuotat e tij të dobëta. “Për secilin rast është biseduar me klientin dhe me mjekët dhe ne kemi qenë të mendimit se ekziston një shans për sukës. Por, ai nuk mund të pranojë faktin se gjykata shumë raste as nuk i ka shqyrtuar. Ai, siç e thotë, për shumë klientë punon falas. Ai e fajëson “sistemin e shkatërruar të sigurimit invalidor”.

Gazeta ka kontaktuar edhe një avokat zviceran, i cili zë “vendin e tretë” në këtë listë të palavdishme. Ai, (Christian Schroff) ua lë fajin gjyqtarëve, të cilët sipas tij, shpesh nuk janë sa duhet të njohur me realitetin praktik dhe e marrin rrugën më të lehtë, mos-shqyrtimin e ankesave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme