Zyrapi: Serbia ka menduar se operacioni “Shigjeta” është forcë e NATO-s

Prishtinë | 27 Maj 2021 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i komandës së përgjithshme në operacionin “Shigjeta”, Bislim Zyrapi, ka treguar se si nisi i gjithë ky operacion i cili rezultoi me shpërthimin e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se komandantët serbë kanë menduar se operacioni “Shigjeta” është forcë e NATO-s.

“Hartimi i këtij operacioni ka ndodhur brenda në Kosovë gjatë kohës se janarit dhe shkurtit kur ndodhi masakra në Reçak. Bisedimet veç ishin duke vijuar me palën serbe, Beogradi vazhdonte me prurjen e forcave, çka na tregonte se ata nuk do të ndaleshin”.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, serbet filluan me planin e ‘Tokës së Djegur’ dhe atëherë është dashur që të fillohet ky operacion i paraparë në tre drejtime: Koshare – Dukagjin, Pashtrik – Pashtrik dhe Koretniku të bashkohet me zonën e Noredimës”.

Zyrapi ka treguar se ka pasur një koordinim ndërmjet forcave të UÇK-së dhe atyre të NATO-s.

“Po, NATO veç ishte në sulme ajrore që godiste forcat serbe, por edhe gjatë operacionit tonë është goditur prapë nga NATO që ishim në kontakt me ta – e jona ka qenë që t’i japin caqet se ku të goditet”.

“Sot e atë ditë, forcat serbe mendojnë se kjo forcë është e NATO-s, por ka qenë forcë e UÇK-së. Është një sukses dhe fitore e UÇK-së”.

Të ngjashme